Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësinë amerikane, u takuan në Berlin për të biseduar për rihapjen e linjës hekurudhore. Haradinaj i mirëpret përpjekjet për marrëveshje por shpreh pasiguri për perspektivën që paraqet ajo.
Uashingtoni vijon përmes diplomacisë ekonomike të ulë në tryeza Prishtinën dhe Beogradin, për t’i paraprirë dialogut politik dypalësh.
Pas marrëveshjes së javës së kaluar për të rivendosur trafikun ajror mes dy kryeqyteteve, palët të hënën u gjetën sërish në Berlin, për të diskutuar tashmë mundësitë e shfrytëzimit të linjave të përbashkëta hekurudhore pas dy dekadave.
Zyra e ambasadorit në Gjermani dhe e të dërguarit të posaçëm të presidentit amerikan, Riçard Grenël, e cilësoi konstruktiv debatin treorësh mes dy fqinjëve.
Në Prishtinë, bisedimet u mirëpritën edhe nga kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj.
Haradinaj, megjithatë, shpreh rezerva për efikasitetin e bashkëpunimit hekurudhor, duke theksuar se problem mbetet amortizimi i linjave.
Në takimet e javës së kaluar me funksionarë të lartë nga të dyja vendet, ambasadori Grenël tha se avancimi ekonomik do të ishte në interesin e të dyja vendeve, dhe mund të realizohet nëse hiqet dorë nga politikat e tarifave doganore maksimaliste apo fushata serbe kundër Kosovës.
Këtë javë edhe Bashkimi Europian pritet të vihet në veprim në Prishtinë dhe Beograd përmes shefit të diplomacisë, Zhuzeb Burej, i cili ka thënë se do bëjë çmos për të lehtësuar dialogun Kosovë-Serbi të pezulluar nga nëntori i vitit 2018.