Gjermania garanton mbështetje për Maqedonine e Veriut dhe Shqipërinë. Kjo u tha në takimin e ministrave të jashtëm Heiko Maas e Bujar Osmani në Berlin. Maas i cilësoi si “fake news” “non-paper” për Ballkanin.
“Ky është një diskutim që e kemi bërë edhe më parë, por anasjelltas. Në të kaluarën këto vende nuk janë ndarë dhe ka qenë në rregull. Ne mbështesim presidencën portugeze që të gjejë sa më shpejt zgjidhje për çështjet dypalëshe, në mënyrë që të hapen sa më shpejt konferencat e anëtarësimit, si për Maqedoninë e Veriut, ashtu edhe për Shqipërinë. Nuk mendojmë t’i ndajmë nga njëra-tjetra.”
Këtë qëndrim e ndan edhe Bujar Osmani: “Edhe pse Komisioni anëtarëson secilin vend në përputhje me përparimet që ka bërë: përvoja ka treguar se një rrugëtim i përbashkët është më i frytshëm, sepse përfiton nga efektet sinergjetike.”
Shpresat te presidenca portugeze
Maqedonia e Veriut është prej vitit 2005 zyrtarisht kandidate anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Çështja e emrit me Greqinë u zgjidh me Marrëveshjen e Prespës (2019), por negociatat ende nuk janë çelur formalisht për shkak të grindjes me Bullgarinë për përkatësinë historike të gjuhës maqedonase. Gjermania gjatë presidencës së saj, vitin e kaluar, nuk arriti ta bindte palën bullgare të hiqte dorë nga vendosja e kësaj grindjeje në agjendën e kornizës negociuese. Shqetësimi i vëzhguesve është se kjo çështje do të zvarritet për shkak të gjendjes së paqartë politike në Bullgari. Ministri gjerman i Punëve të Jashtme tha në Berlin se kjo çështje duhet të zgjidhet nga historianët e dy shteteve, pa presion nga jashtë.