Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola reagoi sot mbi takimin me Kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropali.
Presidentja e PE u shpreh se, me Spiropalin zhvilloi një diskutim shumë të mirë.
Metsola theksoi se, PE do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë teksa po intensifikon reformat dhe përshpejton përafrimin e legjislacionit kombëtar me standardet e BE-së.
“Diskutim shumë i mirë me Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali. Ndërsa hapim rrugën për të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor, Parlamenti Evropian do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë, teksa po intensifikon reformat dhe përshpejton përafrimin e legjislacionit kombëtar me standardet e BE-së”, shkruan Metsola në rrjetin social X.
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali po zhvillon një vizitë në Parlamentin Evropian, në Bruksel, me ftesë të presidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.
Gjatë kësaj vizite, Spiropali shoqërohet nga bashkëkryetari i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-Parlamenti Evropian dhe zëvendëskryetar i Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, Toni Gogu, kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Eduard Shalsi, dhe ambasadori i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Ferit Hoxha.