Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti sot në takim kryetaren e re të bashkisë së Podgoricës, Olivera Injac, me të cilën ndau disa ide për bashkëpunim në fusha të ndryshme mes dy qyteteve.
Veliaj i uroi suksese në detyrën e re homologes së tij dhe shprehu nevojën për të rritur edhe më tej këtë bashkëpunim të mirë mes Tiranës dhe Podgoricës.
“Njerëzit nuk i zgjedhin dot fqinjët, por nuk do të kishim imagjinuar një fqinjësi më të mirë se Mali i Zi dhe qyteti i Podgoricës. Mezi pres që rrugëtimi juaj në këtë mandat të ri të jetë transformues për qytetin tuaj”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se “Podgorica dhe Tirana kanë një miqësi shumë-shumë të vjetër, ndaj besoj se detyra e gjeneratës sonë është ta kultivojmë, ta përmirësojmë dhe ta çojmë edhe më lart atë”.
Veliaj tha se “Podgorica është një qytet multi-religjioz, multi-etnik, një qytet me mendje të hapur, me zemër të hapur dhe mezi pres që kjo vizitë zyrtare të jetë fillimi i një rrugëtimi të ri për Podgoricën dhe Tiranën”.
Ne, vijoi Veliaj, mund të bëjmë më shumë gjëra bashkë se sa mund të bëjmë veç e veç.
“Sidomos këtë vit kur Tirana është Qyteti Europian i Sportit. Vitin tjetër do të kemi presidencën e B40-ës dhe mezi pres që të kemi një marrëdhënie të gjatë dhe të fortë me Podgoricën”, tha Veliaj.
Kryetarja e bashkisë së Podgoricës, Olivera Injac vlerësoi punën e kryebashkiakut Veliaj, ndërsa theksoi se qyteti i saj është i interesuar të mësojë nga eksperienca e Tiranës.
“Kjo është vizita e parë zyrtare në rajon. Është një nder i madh të jem këtu dhe të dëgjoj për eksperiencën tuaj. Është një fillim i mirë për ne, shpresoj që t’i përballojmë me sukses dhe të jemi të suksesshëm në punën tonë. Shpresoj t’ju mirëpresim së shpejti në Podgoricë dhe jam e sigurt, që do të kemi shumë projekte të përbashkëta në vitet e ardhshme”, tha Injac.
/Argumentum.al