Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell ka zhvilluar një bisedë online me kryeministrin Edi Rama për të cilin ka informuar më pas nëpërmjet një mesazhi në “Twitter”. Borrell shkruan se mirëpret angazhimin e Shqipërisë për të ecur përpara në rrugën e pranimit në BE duke e cilësuar thelbësore ruajtjen e dinamikës së marrëdhënies së BE-së me Ballkanin Perëndimor. “Unë e mirëpres angazhimin e Shqipërisë për të ecur përpara në rrugën e pranimit në BE. Siç u diskutua me Kryeministrin Rama, është thelbësore të ruhet dinamika e marrëdhënies BE-Ballkan Perëndimor. Me Shqipërinë që luan një rol të rëndësishëm”, deklaron Borrell.
Në një deklaratë për shtyp të zyrës së Përfaqësuesit të BE zbardhen disa nga pikat kryesore të bisedës. Sipas njoftimit Borrell i bëri thirrje të gjitha forcave politike të punojnë për të ndihmuar në hapjen e Konferencës së Parë me BE-në. “Përfaqësuesi i Lartë nënvizoi nevojën për të vazhduar kryerjen e reformave kryesore të identifikuara nga Këshilli. Kontributi i të gjitha forcave politike do të jetë i dobishëm në sjelljen e vendit në hapin tjetër”, shkruhet në deklaratën për shtyp.
Borrell, sipas njoftimit ka “vlerësuar harmonizimin e vazhdueshëm të Shqipërisë me pozicionet e politikës së jashtme të BE”. Gjithashtu, Përfaqësuesi i Lartë “përshëndeti angazhimin e Kryeministrit Rama për të çuar Shqipërinë përpara në rrugën e saj të pranimit në BE dhe progresin vendimtar në përmbushjen e kushteve të vendosura nga konkluzionet e Këshillit të Marsit 2020, të cilat vendi është afër për të përmbushur, në funksion të konferencës së parë ndërqeveritare”.