Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka pritur në takim kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, gjatë të cilit janë pajtuar se marrëdhëniet mes dy vendeve janë më të mirat në historinë moderne.
“Vuçiq deklaroi se ekziston një vullnet i fortë politik në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe propozoi hapa konkretë në fushën e tregtisë, turizmit, kulturës dhe sportit”, thuhet në njoftimin e Zyrës për Bashkëpunim me Media të presidentit të Serbisë.
Më tej bëhet e ditur se Kovaçevski ka theksuar se nuk ka më çështje të hapura mes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe se partneriteti i tyre është shembull për rajonin. Ai tha se tri dokumentet, të cilat do të nënshkruhen gjatë vizitës së tij në Beograd, do t’i japin një shtysë shtesë forcimit të bashkëpunimit.
Vuçiq shtoi se Serbia është e vendosur të promovojë një agjendë pozitive të orientuar drejt së ardhmes në marrëdhëniet në rajon, gjë që mund të shihet përmes rolit të saj aktiv në nismën e “Ballkanit të Hapur” dhe se me kryeministrin Kovaçevski diskutoi për bashkëpunimin në kuadër të kësaj nisme dhe përfitimet shtesë për qytetarët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.