Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias u shpreh sot se, Greqia dhe Shqipëria duan ta zgjidhin çështjen e delimitimit të zonave detare në bazë të së drejtës ndërkombëtare.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, Dendias tha se, “është gëzim i madh për mua që gjendem sot sërish këtu, që gjendem sërish në Tiranë, në atdheun e Skënderbeut, heroin e viteve tona të vegjëlisë. Tirana është stacioni i parë i turit tim në Ballkanin Perëndimor”.
“Këtu ne kemi ekzaminuar të gjitha raportet dypalëshe, por edhe zhvillimet ndërkombëtare, por edhe perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe unë shoh se do të kemi një takim shumë interesant dhe me kryeministrin Edi Rama, të cilit do t’i përcjell edhe përshëndetjet e ngrohta të kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis”, tha Dendias.
“Takimet tona janë të shumë të shpeshta. Dje ka ardhur në Tiranë edhe ministrja e Kulturës që të marrë pjesë në Javën e Kulturës greke. Unë kam 1 vit e gjysmë që nuk kam ardhur në Tiranë dhe kam gëzim tani që jam këtu sot dhe të njoftoj së bashku me kryeministrin Edi Rama vendimin tonë për përcjelljen e çështjes së delimitimit të zonave detare, të hapësirave detare dhe të shelfit kontinental në Hagë”, theksoi Dendias.
Ai nënvizoi se, “përmbushja e kësaj procedure për ne ka rëndësi të veçantë. Dhe të dyja vendet dëshirojmë që të zgjidhim diferencat tona në bazë të së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtës kryesisht të detit”.
“Mendoj se përtej rëndësisë që ka për dy vendet tona dërgon edhe një mesazh shumë të rëndësishëm tek të gjithë vendet e tjera se kjo është mënyra e duhur dhe mënyra e saktë për të zgjidhur divergjencat tona. Dhe është e rëndësishme sesi ne do të përshpejtojmë hapat për të përmbushur pjesën teknike në mënyrë që të depozitojmë sa më shpejt dokumentet në Gjykatën e Hagës”, shtoi ai.
“Marrëdhëniet tona janë zhvilluar shumë mirë, madje dhe abrogimi i ligjit të luftës është diçka që duhet të shkëputemi dhe ne duhet të bashkëpunojmë këtu në mënyrë që pikat historike për abrogimin e tij të përmbyllen sa më shpejt të jetë e mundur. Sigurisht dua të jem i çiltër me ju, kjo do të thotë që ne duhet të diskutojmë mbi çështje praktike, çështje që kanë të bëjnë me palën greke dhe që ata duhet t’i diskutojnë. Dhe ne mendojmë se nuk janë gjërat fiks ashtu siç paramendohen. Mos krijojmë çështje që nuk janë ekzistuese, sepse kjo gjë do na çojë në pasoja të niveleve të shumëfishta, ku Greqia pastaj do të vendosë çështje të tjera që kanë të bëjnë edhe me itinerarin tuaj në Evropë”, theksoi Dendias.
“Ne konsiderojmë se minoriteti grek këtu në Shqipëri, por edhe komuniteti shqiptar që punon dhe jeton në Greqi, përbën një urë lidhëse mes dy vendeve. Për këtë arsye ne duhet të diskutojmë. Ndaj edhe diskutuam çështje që i referohen këtyre dy grupeve, minoritetit grek dhe komunitetit shqiptar në Greqi. Dhe kuptoj gjithashtu shumë mirë çështjen e pensioneve. Është shumë e rëndësishme që ne ramë dakord që të diskutojmë dhe t’i vendosim në një itinerar zgjidhjesh këto çështje që merren me shumë njerëz që kanë kontribuuar në ekonomitë tona reciproke”, vijoi ai.
“Sot kisha gëzimin të takoj edhe anëtarë të minoriteti grek të Himarës, sot në mëngjes, të cilët më dhanë mua zërin e tyre për problematikat e tyre dhe janë gjëra që duhet t’i diskutojmë së bashku. Gjithashtu kisha nderin të takoj dhe Hirësinë e tij Kryepeshkopin e Tiranës dhe Durrësit, Anastas, me të cilin kishim një diskutim të gjatë”, tha Dendias
Sa i përket diskutimit për marrëdhëniet ekonomike, Dendias tha se, “iu referuam tregtisë dypalëshe, ekonomisë. Si mund t’i japim progres ekonomisë së dy vendeve dhe si mund të thellojmë më tepër marrëdhëniet mes dy vendeve tona. Diskutuam gjithashtu çështje që kanë të bëjnë me energjetikën”.
“Diskutuam çështje që kanë të bëjnë me luftën në Ukrainë. Dhe lufta në Ukrainë është një pjesë që Shqipëria po e menaxhon dhe në Këshillin e Sigurimit”, tha ai.
Dendias përgëzoi Shqipërinë sepse, u shpreh ai, “si aleat madje dhe si vend anëtar që do të integrohet në BE, ka adoptuar të gjithë ato vendime të BE-së. Madje mendoj se Shqipëria mund të jetë shembull edhe për vende të tjera të cilat nuk ndjekin taktikën shqiptare. Domethënë që të jetë tërësisht e harmonizuar me pozicionet e familjes evropiane”.
Për perspektivën evropiane të Shqipërisë, Dendias tha se, “Greqia e mbështet tërësisht nisjen e negociatave me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut dhe është tërësisht dhe absolutisht e predispozuar t’i ofrojë ndihmë teknike Shqipërisë”.
“Ne mendojmë se perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor është një rrugë me një kalim. Dhe kryesisht në konjukturat e tanishme, ku kujdesi që ne kemi për Ukrainën i tregon pikërisht këtyre forcave që të destabilizojnë rajonin tonë të gjerë. Dhe mendoj se së bashku ne duhet të bashkëpunojmë që të mos lejojmë një gjë të tillë. Pra të ndërtojmë një të ardhme evropiane të paqes, të stabilitetit, të prosperiteti, të bashkëpunimit në zonën tonë”, tha Dendias.