Kush po fiton nga vendosja e taksës 100% ndaj mallrave serbe në Kosovë?
Mesa duket, bizneset shqiptare ende jo. Këtë e thonë të dhënat paraprake të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, sipas të cilave, as me disfavorizimin që Kosova u ka bërë mallrave serbe duke i taksuar për të hyrë në tregun e saj, nuk kanë mundur të shiten dot më shumë atje. Konkretisht, nga data 1 deri më 22 dhjetor, periudhë kjo që përkon me rritjen e taksës për prodhimet serbe, eksportet shqiptare drejt Kosovës ishin rreth 13 milionë euro dhe zunë 9% të totalit të eksporteve, kurse në muajin nëntor u eksportuan 22 milionë euro mallra, ose 9.3% e totalit.
Pra, pa shënuar aspak rritje, siç edhe mendohej të ndodhte. Ndërsa biznesmenët shqiptarë pretendojnë se që të rriten sa më shumë shitjet e tyre në Kosovë, duhet patjetër që të hiqen pengesat për shkëmbimet tregtare mes dy vendeve. “Shqipëria ka kapacitetet e plota për t’u pozicionuar mirë në tregun e Kosovës. Kemi nevojë vetëm të mos na e vështirësojnë shkëmbimin tregtar. Vështirësim do të thotë që ne të kemi mundësi, që nga fabrikat tona deri në pikën e shumicës në Kosovë të mos kemi barriera tarifore dhe jotarifore. Përditë na krijohen këto gjëra dhe ne mundohemi që si e si të ulim kostot e prodhimit, me qëllim që ne të jemi të konkurrueshëm në rajon. Kështu që ky është një nga elementët e rëndësishëm”, ka thënë për këtë, Arben Shkodra, nga Shoqata e Prodhuesve Shqiptarë.
***
Por ndryshe duket situata për biznesin në Kosovë, pas vendosjes së taksës prej 100% për mallrat serbe. Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ka pohuar se kjo masë ka bërë që të ketë rritje të kapaciteteve në kompanitë prodhuese. Sipas tij, Shqipëria dhe Kosova i kanë rritur shkëmbimet tregtare mbi 34% krahasuar me vitin e kaluar dhe se viti i ardhshëm do të sjellë rritje më të madhe.
“Në ekonominë e vendit është rritur më shumë se 20% prodhimtaria vendore, është rritur punësimi mbi 15% dhe e gjithë kjo është bërë falë taksës. Njëkohësisht, kjo ka bërë që në çdo kompani prodhuese të rriten kapacitetet, pasi ekonomia e vendit dhe bizneset prodhuese asnjëherë nuk e kanë pasur këtë mundësi kaq të madhe për ta rritur praninë në tregun e Kosovës”, tha gjithashtu ai.