Talk and eating! Sa për të larë gojën! Demokracia apo Serbia?
REALPOLITIK FLASH NR. 94
17 – 31 KORRIK 2024
Komente “ flash” mbi 3 ngjarjet kryesore, shkurt dhe shqip, vetëm me 1000 fjalë nga analisti i njohur diplomatik,
DR. JORGJI KOTE
1.Talk& eating! (ha dhe fol) u pa më shumë në Samitin e Bashkësisë Politike Europiane ( BPE) më 18 Korrik në Bleinheim, vendlindjen e Çurçillit, 100 km larg Londrës me praninë e 47 liderëve europianë.
Brenda 5 orëve të Samitit u bënë elozhe dhe urime për Kryeministrin e sapozgjedhur britanik, Keir Starmer, përfituesi i madh i Samitit; ai pati rastin e volitshëm për të paraqitur vizionet për bashkëpunim më të madh cilësor me BE-në, përfshirë qëndrimin në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, ndryshe nga paralajmërimet e paraardhësit të tij. Pastaj, takime të lira dypalëshe, tre tryeza rutinore për demokracinë, energjinë dhe migrimin e paligjshëm dhe foto familjare, të mbyllura me Pritjen nga Mbreti Charles III dhe me ftesën e Hungarisë, si mikpritësja e Samitit të pestë më 7 nëntor.
Por, sërish, megjithë praninë për herë të parë të Sekretarit të Përgjithshëm të NATOs, KiE-së dhe OSBE-së, ky Samit mbeti në hije, me jehonë minimale në publikun, politikën dhe median ndërkombëtare. Kjo mbasi BPE-ja u mblodh vetëm një javë mbas Samitit jubilar të 75 Vjetorit të themelimit të NATO-s, i përcjellë me jehonë planetare; ndërkohë, po më 18 Korrik, politika, publiku dhe media ndërkombëtare kishin ”gjah shumë më të majmë”. Gjithkush ishte me ”sy dhe me veshë” në Uashingon për fatin e kandidaturës së Presidentit Biden e sidomos në Milwaukee, ku Trump pritej si hero nga republikanët e bashkuar si ”një trup i vetëm”, një javë mbas atentatit të dështuar kundër tij. Ndërkohë vëmendja ndërkombëtare ishte përqëndruar dhe në Strasburg, ku rizgjedhja e Von der Leyen në krye të Komisionit Europian ishte jetike për të ardhmen e BE-së. Kësisoj, Bleinheim mbeti pothuaje ” jashtë radarit” politik, publik dhe mediatik.
Ja pse, Samiti i BPE-së i shtoi dhe më shumë pikpyetjet dhe diskutimet e deritanishme mbi vlerat, formatin e sidomos të ardhmen e tij. Mbi dy vjet mbas krijimit, bilanci i BPE-së është tejet i varfër: vetëm 4 samite në Pragë, Kisinau, Alhambra dhe pranë Londrës! Padyshim me shprehjen e solidaritetit me Ukrainën, delikatesat kulinare, atraksionet turistike, të cilat në të tilla raste përmblidhen në shprehjen ” talk and eating” .
Veç kësaj, ndryshe nga samitet e organizatave të tjera ndërkombëtare, mesazhet politike në BPE jepen në mënyrë informale, pa fjalime plenare, pa kritika dhe ca më pak qortime; kësisoj, samitet e BPE-së përfundojnë pa vendime apo premtime konkrete, pa deklaratë dhe komunikatë shtypi.
I gjithë ky katalog dhe fomat i veçantë i ”diplomacisë së sharmit” siç njihet, justifikohet me natyrën e veçantë të BPE-së dhe për të shmangur ndonjë incident që do të kompromentonte ose cënonte integritetin e këtyre forumeve.
Ca më keq akoma, BPE- ja nuk ka ende sekretariat, komitet drejtues, axhendë dhe program për të ardhmen; as takime ministeriale, ekspertësh si dhe forume të tjera të zyrtarëve të lartë. Madje as nuk ka shenja dhe gjasa për një gjë të tillë. Edhe Franca, si ideatore dhe nismëtare dhe diplomacia e saj me plot telashe vazhdon të heshtë, e mbërthyer nga ethet dhe telashet për krijimin e koalicionit të ri qeveritar.
2. Sa për të larë gojën”! Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikën e Jashtme në largim, Borrell shpalli miratimin për zgjatjen e mandatit të Ndërmjetësuesit të saj për Ballkanin Perendimor dhe sidomos dialogun Kosovë – Serbi deri në muajin Janar 2025. Muaj, në të cilin do të jetë emëruar negocatori i ri, mbas konstituimit të instancave të reja më të larta drejtuese në BE. Ideja e shtyrjes së mandatit të Lajçakut është që dialogu Beograd – Prishtinë të mos ngecet në vend, madhe dhe të shënojë sa të mundet përparim deri atëhere. Mirëpo në gjendjen në të cilin është katandisur ky dialog, për të cilin kemi shkruar dhe më parë në këtë rubrikë, veprimet bojkotuese dhe bllokuese të Serbisë, zgjedhjet e reja në SHBA dhe zhvillime të tjera rajonale, e bëjnë shtyrjen e afatit për Lajçak bëhet më tepër siç i thonë fjalës” sa për të larë gojën”. Ose siç thamë radhën e kaluar “ sa për t’u gjindur Kola në punë”! Dialogu në fjalë nuk mund të bëjë dot përpara, ai mbahet me frymëmarrje artificiale. Mbi të gjitha ai ka nevojë për një stategji cilësisht të re nga SHBA-të dhe BE-ja, jo më diplomaci qetësuese dhe përkëdhelëse për Beogradin, pa e trajtuar “si të nënës ndërsa Prishtinën si të njerkës”. Ndërkohë, për Kosovën duhet më shumë “ kulaç se kërbaç”. Mirëpo kjo kthesë cilësore nuk mund të bëhet brenda natës. Ajo kërkon kohë, punë, përpjekje, demarshe diplomatike dhe grupe ekspertësh me variante të ndryshme deri në vendimmarrjen politike. Ndaj, asnjë shpresë se Lajçaku këto 5 muaj të mbetur mund të bëjë diçka. Thjesht do të vazhdojë me moton “tërhiq e mos e këput”. Ndaj dhe Kosova bën mirë që nuk ushqen shpresa te njerëzit e rinj, për aq kohë sa strategjitë dhe letrat do të mbeten po ato.
3. Serbia apo demokracia? Kjo dilemë gjeopolitike perendimore lind kur mëson për marrëveshjen strategjike të nënshkruar në Beograd më 18 korrik midis qeverisë serbe, BE-së dhe Gjermanisë për prodhimin dhe furnizimin e lëndëve të para të qëndrueshme ose kritike, e sidomos të litiumit deficitar në tregun ndërkombëtar. Siç dihet, ky i fundit përfaqëson lëndën e parë strategjike për prodhimn e baterive për makinat elektrike, një nga fushëbetejat kryesore midis Perëndimit dhe Kinës. Mirëpo kjo ka hasur në protesta dhe kundërshtime masive në Serbi. Në këto kushte, qeveria serbe nuk mund ta shesë aq lirë dhe pa kushte këtë ”sakrificë” gjeopolitike. Për pasojë, ajo po e rrit çmimin politik nga BE-ja, që ajo të mos e bezdisë Serbinë me kritere dhe kërkesa demokratike dhe linjëzimin me politikën e jashtme të BE-së mbi sanksionet ndaj Rusisë. Shkurt hesapi, ajo i thotë Perëndimit ta pranojnë Serbinë kështu siç është, “duke e mbajtur grurë” si me Perëndimin dhe me Lindjen; madje dhe me lëshime apo pazare për Kosovën, ose ndryshe, ja ku e ka Rusinë, Kinën dhe vendet e BRICS, ku Serbia synon të anëtarësohet së shpejti. Dhe Perëndimi çuditërisht vazhdon të trembet, ndaj si SHBA-të dhe BE-ja vazhdojnë akrobacitë e ndryshme diplomatike për të akomoduar pozicionet e Beogradit edhe ndaj Kosovës. Faktikisht, sot interesat gjeopolitike perendimore kanë epërsi mbi vlerat dhe parimet demokratike; ndaj ato do të vijojnë “ të bëjnë një sy qorr dhe një vesh shurdh” ndaj problematikave shqetësuese të Serbisë. Mesa duket, Perëndimi po e le « prapa liste » demokracinë në Serbi.
© 2024 Argumentum