Ndërsa vullneti i autoriteteve shqiptare për të ripërtërirë angazhimin e tyre ndaj reformave zgjedhore përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm është për t’u përshëndetur, autoritetet kombëtare duhet të përdorin mundësitë aktuale për t’i finalizuar dhe zbatuar ato, tha sot Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR).
“Është inkurajuese të shohësh përparimin që ka bërë Shqipëria në shumë fusha dhe sa të hapura janë autoritetet për t’u angazhuar me rekomandimet e ODIHR-it,” tha drejtori i ODIHR, Matteo Mecacci. “Por për fat të keq, ne nuk kemi parë ndonjë përparim në reformat ligjore të nevojshme për të adresuar rekomandimet tona. Tani është koha për të ndërmarrë veprime, përpara zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.”
ODIHR ka bërë një sërë rekomandimesh pas zgjedhjeve të fundit për të përmirësuar procesin demokratik. Një numër prej tyre kërkojnë ndryshime si në legjislacion ashtu edhe në zbatim. Rekomandimet prioritare theksojnë nevojën për të forcuar më tej efektivitetin e administratës zgjedhore, mbikëqyrjen e financave të fushatës dhe rregullimin e mediave si dhe marrjen e masave shtesë kundër keqpërdorimit të burimeve publike dhe shkeljeve të tjera.
ODIHR është i gatshëm të mbështesë autoritetet dhe të ndihmojë komisionin parlamentar ad-hoc për reformën zgjedhore në çdo mënyrë të mundshme brenda mandatit të tij. Zyra ofron gjithashtu një analizë të thellë ligjore të kodit zgjedhor ose të çdo ndryshimi të propozuar në legjislacionin përkatës.
Gjatë vizitës së tij dyditore në Tiranë këtë javë, Drejtori i ODIHR-it u takua me Presidentin Bajram Begaj, kryeministrin Edi Rama, ministrin e Brendshëm Taulant Balla, Ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja, Ministrin e Çështjeve Evropiane Igli Hasani dhe Komisionerin Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi, si dhe anëtarë të opozitës parlamentare. Diskutimet e fokusuara në mbështetjen që ODIHR mund të ofrojë në fushën e zgjedhjeve, si dhe në shumë fusha të tjera të mandatit të tij, për të ndihmuar në forcimin e institucioneve demokratike të Shqipërisë. Një diskutim i frytshëm me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri u përqëndrua në bashkëpunimin me ODIHR për të punuar më tej mbi çështjet e të drejtave të njeriut në vend.
/Argumentum.al