Pas fillimit të operacioneve komerciale në 15 nëntor 2020, Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) AG konfirmoi sot fillimin e transportit të gazit nga Azerbajxhani. Sasia e parë e gazit mbërriti në Greqi dhe Bullgari, përmes pikës së interkonjeksionit të Nea Mesimvrias me DESFA-n, si edhe në Itali, përmes pikës së interkonjeksionit të Melendunjos me SNAM Rete Gas (SRG).
Luca Schieppati, Drejtori Menaxherial i TAP-it, tha: “Sot është një ditë historike për projektin tonë, po ashtu edhe për vendet tona pritëse e tregun energjetik të Evropës. TAP-i është një pjesë thelbësore e rrjetit të gazit në kontinent, duke kontribuar në hartën e transportit të energjisë. Ne ofrojmë një linjë transporti të sigurtë, direkte dhe me kosto të ulët në vendet e Evropës Juglindore e më gjerë.”
Marija Savova, Drejtore Komerciale e TAP-it, shtoi: “Fillimi i shpërndarjes së gazit është një moment historik për tregun e gazit në Evropë. Teksa presim me padurim t’iu shërbejmë transportuesve të gazit në muajt e vitet që do të vijnë, presim me padurim të fillojmë gjithashtu fazën e dytë të testimit të tregut në verë, çka do të mundësojë zgjerimin e TAP-it në të ardhmen, duke dyfishuar kapacitetin e gazsjellësit në 20bcm/a.”
TAP-i është një Operator Sistemi Transmetimi, i cili iu ofron kapacitet transportuesëve që janë të interesuar të transportojnë gaz natyror në tregjet e shumta të Evropës. Si një linjë e re e importit të gazit, Korridori Jugor i Gazit përforcon sigurinë e sektorit energjetik të Evropës, integrimin e tregut të saj, si edhe përpjekjet e BE-së për dekarbonizim.
Presidenti i Republikës Ilir Meta përshëndet realizimin e Korridor Jugor të Gazit, pjesë thelbësore e Projektit TAP
Sipas kreut të shtetit, ky korridor është me rëndësi të madhe për rajonin e veçanërisht për Shqipërinë, me efekte afatgjata në ekonominë kombëtare.
Ilir Meta: Përshëndes realizimin me sukses të Korridorit Jugor të Gazit, iniciativë e Komisionit Europian dhe pjesë thelbësore e Projektit TAP.
Vendosja tërësisht operacionale e Korridorit Jugor të Gazit, është me rëndësi të madhe për rajonin, në veçanti për Shqipërinë, jo vetëm për sektorin e energjisë dhe gazifikimin, por edhe për efektet shumë pozitive në ekonominë kombëtare dhe zhvillimin e qëndrueshëm afatgjatë.
Rreth Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP)
TAP do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigande e Shah Denizit në sektorin azerbajxhanas të detit Kaspik për në Evropë. Gazsjellësi, i gjatë afërsisht 878 km, lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) pranë kufirit turko-grek në Kipoi, përshkon Greqinë, Shqipërinë dhe detin Adriatik, përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë jugore.
TAP-i do të lehtësojë furnizimin me gaz të vendeve të Evropës Juglindore përmes interkonektorëve të shumtë. Në veçanti, Bullgaria do të jetë në gjendje të mbulojë deri në 33% të kërkesës së saj totale për gaz përmes gazsjellësit TAP, pas përfundimit të interkonektorit me Greqinë. Kjo në këmbim do të lehtësojë rritjen e shkallës së penetrimit të gazit natyror në vend. Pikat e daljes së TAP-it në Greqi dhe Shqipëri, bashkë me daljen në tokë në Itali, ofrojnë mundësi të mëtejshme për transportin e gazit nga Azerbajxhani drejt tregjeve më të mëdha evropiane.
Si një pjesë kyçe e Korridorit Jugor të Gazit, TAP-i është i rëndësishëm për Evropën, si nga pikëpamja strategjike, ashtu edhe ekonomike, si dhe thelbësor në ofrimin e aksesit të sigurtë në një burim të ri gazi natyror. TAP-i luan një rol të rëndësishëm në forcimin e sigurisë së sektorit energjetik në Evropë, diversifikimin e rezervave energjetike, si edhe objektivat e dekarbonizimit.
© Argumentum