Një nga drejtuesit e koalicionit VLEN që bën pjesë në koalicionin qeveritar në Maqedoninë e Veriut, Arben Taravari thotë se ndryshimet kushtetuese lidhur me pakicën bullgare që janë kusht për ecurinë e vendit drejt Bashkimit Evropian , ishin të pamundura të bëheshin brenda 100 ditëve dhe me një qeveri teknike dhe jostabile në Bullgari. Zoti Taravari i bëri komentet pas shkëputjes së Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria në procesin e integrimit në BE, për shkak të mosplotësimit brenda afatit të ndryshimeve, gjë që ka nxitur reagime në Shkup.
Opozita akuzon pushtetin për politikat që ajo thotë se shkaktuan ngecje dhe për mungesë vullneti për ta çuar vendin drejt familjes evropiane, por zoti Taravari, në një intervistë për Zërin e Amerikës, hodhi poshtë këto kritika dhe tha se shpreson që pas zgjedhjeve të 27 tetorit në Bullgari të dalë një qeveri e qëndrueshme dhe të ketë një garanci që rreth Vitit të Ri të votohen ndryshimet kushtetuese dhe të fillojnë negociatat me BE-në. Zoti Taravari konfirmoi angazhimin e koalicionit VLEN për të siguruar të drejtat e shqiptarëve dhe bëri përgjegjëse qeverinë e mëparshme, përfshirë BDI-në për disa probleme që po has vendi dhe shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
Zëri i Amerikës: Zoti Taravari, ngecja e procesit të integrimit në BE e Maqedonisë së Veriut, po kritikohet si dështim me pasoja të rënda i qeverisë suaj. Cili është reagimi juaj?
Arben Taravari: Fatkeqësisht, është e vërtetë se ne dështuam, edhe pse prej vitit 2018 ish-pushteti, flas për BDI-në dhe LSDM-në kanë bërë 5 ose 6 konferenca shtypi se Maqedonia filloi neogociatat me BE-në dhe në fakt tani e shohim se ne nuk i kemi filluar negociatat. Shqipëria i fillon, ndërsa Maqedonia ngec. Ne për 100 ditë nuk mundeshim të bëjmë më shumë. Shqipëria po ecën përpara për arsye se zgjidhën disa probleme; nisën luftën kundër krimit dhe korrupsionit që është shumë e rëndësishme. Të mos harrojmë se Shqipëria në dy vitet e fundit ka bërë një hap të përshpejtuar kundër krimit dhe korrupsionit dhe shumë funksionarë në Shqipëri janë në procese gjyqësore. Në Maqedoni (të Veriut) kishim një Prokurori Speciale e cila u mbyll. Ishte njëfarë shprese se do të luftohej krimi dhe korrupsioni. Domethënë, edhe një prej kushteve të tjera që duhet t’i plotësojë Maqedonia (e Veriut) ishin ndryshimet kushtetuese. Por ndryshimet kushtetuese për njëqind ditë me një qeveri teknike dhe jostabile në Bullgari është e pamundur të bëhen. Prandaj, mendoj se nuk është vetëm ndryshimi i kushtetutës. Ky ishte kusht i domosdoshëm, por edhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit… në Maqedoni kemi ngecje të jashtëzakonshme; kemi lulëzim të krimit dhe korrupsionit në njëzet vitet e kaluara dhe posaçërisht në shtatë vitet e kaluara.
Intervista e plotë në Zëri i Amerikës