Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton të gjithë tatimpaguesit për ndryshimet e bëra me anë të Akteve Normative, në Ligjin Nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, dhe Ligjin Nr. 92/2014, datë 24.07.2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Konkretisht ndryshimet janë si vijon:
Në Ligjin për Tatimin mbi të ardhurat:
Me anë të Aktit Normativ Nr.5, datë 30.11.2019, “Për një shtesë në Ligjin Nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar”, në nenin 21 “Shpenzime të panjohura”, është shtuar gërma p, me përmbajtje:
“Donacionet në mjete monetare mbi nivelin 5% të fitimit para tatimit, të bëra për rastet e shpalljes së “gjendjes së fatkeqësisë natyrore” brenda afatit të përcaktuar dhe të transferuara në llogaritë e thesarit. Në rastet kur donacionet për shkak të shpalljes së “gjendjes së fatkeqësisë natyrore” janë në formën e pasurive të paluajtshme, vlerësimi i kontributit deri në nivelin 5%, në raport me fitimin para tatimit, llogaritet sipas procedurave të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave”.
Me anë të kësaj shtese, donacionet me mjete monetare dhe në formën e pasurive të paluajtëshme, të bëra nga tatimpagues të ndryshëm dhe që kryhen brenda periudhës së “Gjendjes së fatkeqësisë natyrore”, të cilat janë deri në nivelin 5% të fitimit para tatimit, do të konsiderohen si shpenzime të zbritshme. Donacione të tilla për këtë qëllim, mbi këtë normë, do të konsiderohen shpenzime të panjohura.
Lidhur me vlerësimin për donacionet në formën e pasurive të paluajtëshme, procedura e detajuar do të trajtohet në VKM-në që do të miratohet për këtë qëllim.
Në Ligjin për Tatimin mbi vlerën e shtuar:
Me anë të Aktit Normativ Nr. 4, datë 30.11.2019, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 92/2014, datë 24.07.2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e shqipërisë”, të ndryshuar”, me qëllim përjashtimin nga TVSH-ja në import, bëhen këto ndryshime.
Në fund të pikës 21 të nenit 56 “Përjashtime të veçanta në import”, është shtuar paragrafi, “… përjashtuar materialet dhe pajisjet e importuara për këtë qëllim nga organe shtetërore për rastet e shpalljes së “gjendjes së fatkeqësisë natyrore” brenda afatit të përcaktuar”. Me anë të këtij përcaktimi, përjashtohen nga TVSH-ja në import, materialet dhe pajisjet e importuara nga organet shtetërore, me qëllim të rindërtimit të zonave të prekura nga fatkeqësitë natyrore apo luftërat.
Po ashtu, janë të përjashtuara nga TVSH-ja në import, mallrat dhe pajisjet për qëllime ushtarake dhe që përdoren si armë, municion apo bazë materiale luftarake dhe të cilat janë projektuar, zhvilluar, prodhuar, montuar apo modifikuar për përdorim ushtarak, që importohen në emër të Ministrisë së Mbrojtjes./Monitor