Drejtoria e tatimeve ka publikuar një material informues lidhur me Analizën e të drejtës së zbritjes së TVSH-së, së një furnizimi dhe kushtet për ushtrimin e të drejtës së zbritjes .
Në zbatim të Ligjit Nr. 92/2014, datë 24.07.20014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, ushtrimi i të drejtës së zbritjes së TVSH-së për shpenzimet e përballuara nga një person i tatueshëm, varet nga respektimi i njëkohshëm i kushteve që rrjedhin nga dispozitat e ligjit, sipas të cilave furnizimet /shpenzimet duhet :
a) të përdoren për nevojat e një furnizimi të kryer kundrejt pagesës me të drejtë zbritjeje;
b) të mos përfshihen shprehimisht në furnizimet specifike për të cilat kufizohet të drejta e zbritjes, sipas nenit 74 të ligjit;
c) të justifikohen nga një faturë që përmban tërësinë e informacioneve të parashikuara sipas ligjit.
Tranksasionet e përziera
Nga ana tjetër, ligji përcakton rregullat dhe kushtet sipas të cilave personat e tatueshëm që nuk realizojnë vetëm transaksione brenda fushës dhe me të drejtë zbritje, pra personat pjesërisht të tatueshëm, mund të ushtrojnë të drejtën e tyre të zbritjes së TVSH-së.
Masa e zbritjes së TVSH-së
Në praktikë masa e zbritjes së TVSH-së që lidhet me një mall apo shërbim mund të ndryshojë nga një mall/shërbim në tjetrin, në funksion të përdorimit të mallit ose shërbimit.
Në funksion të përdorimit të mallit/ shërbimit përcaktohen:
i) koeficienti i tatueshmërisë:
Proporcioni i përdorimit të mallit apo shërbimit për një veprimtari, për të cilën personi konsiderohet si person i tatueshëm dhe përdorimit të mallit/shërbimit nga i njëjti person për qëllime që nuk kanë të bëjnë me veprimtarinë e tij ekonomike;
ii) koeficienti i zbritjes së TVSH-së:
Pjesa e përdorimit të mallit apo shërbimit për furnizime në fushën e zbatimit të TVSH-së, për furnizime që japin të drejtën e zbritjes;
iii) koeficienti i kufizimit:
Furnizimi i mallit apo shërbimit është shprehimisht objekt i kufizimeve të nenit 74 të ligjit.
Kështu zbritja e TVSH-së së mallit apo shërbimit është e barabartë me produktin e elementeve të mësipërm./monitor