Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha duke folur në tryezën me ekspertë dhe diplomatë me temë “Të rikthejmë Shqipërinë në Rrugën Europiane”, dënoi vendimin për të bojkotuar Samitin e Bashkimit Evropian.
Berisha paralajmëroi protestë të fuqishme për të mbrojtur, siç u shpreh ai, vokacionin perëndimor të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
“Sot është thirrja më kryesorja. Të ngrihemi dhe të përballemi, të mos dorëzojmë fatin tonë në Beograd, të mos dorëzojmë vendimmarrjen e këtij vendi në Beograd, por të qëndrojmë. Për mua nuk ka arsye më të fortë se kjo për t’u ngritur. U tejkalua çdo lloj kufiri dhe imagjinate. Unë nuk jam dakord me çiftimin që na bëjnë, por ne nuk folëm kur Maqedonia e pësoi për shkakun tonë. Maqedonia do të ishte sot anëtare po të mos vihej vetoja në çiftim. Megjithatë, kjo nuk mund të jetë kurrë motiv që ne të kalojmë në anën tjetër të historisë, në anën e zezë, të kalojmë në anën serbo-ruse të saj”, tha Berisha.
“Mendoj se ne duhet të thërrasim protestë të fuqishme. Ky është një motiv në një fare mënyre ekzistencial për kombin tonë. Nuk mundet kurrë një njeri i shitur, i pashitur, cilido qoftë ai, të luajë me fatin tonë në këtë mënyrë. Nuk mundet. Edi Rama ka shndërruar Tiranën në Beogradin e vogël, nuk mundemi ne të jemi Beogradi i vogël, ne jemi kryeqyteti i Shqipërisë dhe i shqiptarëve”, theksoi Berisha.
“Mes Beogradit dhe Brukselit, Rama zgjodhi Beogradin”, tha Berisha.
“Në këtë proces të pranimit nga Edi Rama të hegjemonisë serbe në rajon u formua aleanca trilaterale me Jugosllavinë e vjetër plus Shqipërinë, se Kosovën e konsideron pjesë të territorit të Serbisë. Në këtë proces u konsoliduan lidhjet jo vetëm me Beogradin, por edhe me Moskën. Ky proces solli një përçarje dhe luftë të ftohtë mes Shqipërisë dhe Kosovës. Ky proces solli atë të cilën asnjë shqiptar që ëndërron, apo që sheh si të ardhmen më të mirë të vendit të tij dhe të fëmijëve të tij në BE, nuk mund ta imagjinonte”, theksoi Berisha./ata