Udhëheqësit e Rusisë, Turqisë dhe Iranit do të marrin pjesë në samitin e katërt për Sirinë, ndërkaq pritet dhe prania e delegacioneve teknike nga të tre vendet
Në samitin trepalësh për Sirinë, i cili do të mbahet të enjten në Soçi, udhëheqësit e Rusisë, Turqisë dhe Iranit do të flasin për përkeqësimin e situatës së sigurisë në Idlib, procesin e tërheqjes së forcave amerikane nga Siria dhe formimin e komitetit për hartimin e kushtetutës së re.
Udhëheqësit e vendeve garantuese të procesit të Astanës do të marrin pjesë në samitin e katërt për Sirinë, ndërkaq pritet dhe prania e delegacioneve teknike nga të tre vendet.
Është planifikuar që Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, të takohet ndaras me homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdoğan dhe presidentin iranian, Hassan Rouhani.
Pritet që udhëheqësit e të tre vendeve në samit të dërgojnë mesazh në lidhje me vazhdimin e bashkëpunimit, kur bëhet fjalë për tërësinë territoriale të Sirisë, në luftën e përbashkët kundër terrorizmit dhe separatizmit dhe ruajtjen e bashkëpunimit të vendosur në kuadër të procesit të Astanës.
Udhëheqësit për herë të fundit u takuan më 7 shtator 2018 në Teheran, ku gjatë këtij takimi më së shumti folën për situatën në zonën e konfliktit Idlib. Në samitin në Teheran, Presidenti i Republikës së Turqisë, Erdoğan, bëri thirrje për armëpushim në Idlib dhe mbrojtjen e civilëve.
Më pas, Erdoğan me homologun e tij rus Vladimir Putin u takuan më 17 shtator 2018 në Soçi kur u nënshkrua marrëveshja për forcimin e armëpushimit në Idlib. Në përputhje me marrëveshjen e Soçit, opozita tërhoqi armë të rënda nga zona të caktuara, u vendos një armëpushim i pjesshëm dhe civilët filluan të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Megjithatë, menjëherë pas kësaj, regjimi dhe grupet terroriste të mbështetura nga Irani filluan sulme të reja ndaj vendbanimeve.
Në samitin e nesërm, pritet që të bisedohet rreth përkeqësimit të gjendjes së sigurisë që kanë shkaktuar grupet e huaja terroriste në radhët e regjimit në Idlib.
Grupet në fjalë dje kanë kryer më shumë se 100 sulme në Idlib.
Rusia i ka propozuar Turqisë nisjen e një operacioni të përbashkët kundër elementeve ku janë të përfshirë dhe Hay’at Tahrir al-Sham, një grup që konsiderohet si më përgjegjësi për rritjen e dhunës.
Turqia nuk është shumë e prirur për këtë propozim, pasi që beson se një operacion i tillë mund të çojë në krizë humanitare në zonë.
Të tre udhëheqësit në samitin në Soçi pritet të diskutojnë edhe rreth tërheqjes së forcave amerikane nga Siria, situatën në Munbixh dhe operacionin e mundshëm të Turqisë në lindje të Eufratit.
Rusia në parim nuk është kundër operacionit ndaj pjesëtarëve të YPG/PKK-së në lindje të Eufratit. Megjithatë, Moska dëshiron që territori i në fjalë t’u lihet forcave të regjimit, prandaj janë të pranishme dhe pritjet që kjo të bëhet në afat të shkurtër.
Megjithatë, Turqia është e shqetësuar për mundësinë e formimit të një modeli të ngjashëm me atë të Haseke, sipas të cilit forcat e regjimit dhe pjesëtarët e YPG/ PKK-së jetojnë në harmoni.
Për këtë arsye, Ankaraja synon të marrë masa ushtarake për të parandaluar kthimin e YPG/PKK nëpërmjet forcave të regjimit.
Përpjekjet për formimin e një komisioni kushtetues kanë ngecur në listën prej 50 njerëzve, për shkak të emrave të propozuar nga delegacioni i regjimi. Regjimi, i cili duhet të propozojë emrat e kandidatëve, që do të jenë civilë dhe relativisht të paanshëm, këmbëngul që në listë të përfshihen edhe udhëheqësit e rangut të lartë.
Turqia, e cila është një vend garantues i opozitës, në anën tjetër thekson se është e nevojshme që komisioni kushtetues të përbëhet nga persona të besueshëm dhe të balancuar./AA