Opozita parlamentare do të marrë pjesë në Këshillin Politik, që pritet të mblidhet ditën e hënë për të diskutuar çështjen e listave të hapura, që automatikisht eleminojnë koalicionet zgjedhore, të paktën në formën që ato janë aplikuar në zgjedhjet e 2013 dhe të 2017-ës.
Kryetari i Grupit Parlamentar “Demokraci dhe Drejtësi”, Edmond Stojku thotë se opozita parlamentare do të dërgojë dy përfaqësuesit e saj më të zëshëm në këtë Këshill. Bëhet fjalë për Myslim Murrizin dhe Rudina Hajdarin.
“Në emër të 28 deputetëve firmëtarë të tre grupeve parlamentare dhe të deputetëve të pavarur, me të cilët kemi kërkuar ndryshimet kushtetuese për sistemin zgjedhor, listat e hapura dhe zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR për depolitizimin e komisioneve, pra për administratë zgjedhore publike, jemi dakordësuar që përfaqësuesit tanë në Këshillit Politik do të jenë Myslim Murrizi dhe si kryetare e Komisionit të Integrimit, Rudina Hajdari”, thotë Stojku.
Këshilli Politik pritet që të mblidhet ditën e hënë, tashmë me një format të ri. Ftesës së PD-së për të diskutuar në këtë Këshill ndryshimet kushtetuese sa u takon listave dhe çështjeve të tjera zgjedhore, Kryeministri iu përgjigj me gatishmërinë për t’u ulur edhe vetë në këtë tryezë dhe ftoi që të njëjtën gjë ta bëjë edhe Lulzim Basha, madje edhe Presidenti Ilir Meta.
Por, Basha do të dërgojë në këtë Këshill Sekretarin e Përgjithshëm të PD-së, Gazmend Bardhi, krahas Oerd Bylykbashit. Me këtë vendim të opozitës mbetet për t’u parë se në çfarë niveli do të jetë përfaqësimi i PS-së. Burime nga socialistët thonë se pas këtyre zhvillimeve, Kryeministri Edi Rama pritet që të mos shfaqet vetë në këtë Këshill dhe njëra prej mundësive është që Damian Gjiknurit t’i bashkohet Taulant Balla ditën e hënë.
Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që formati i mbledhjes të vazhdojë i pandryshuar, pra në tryezë të ulen sërish vetëm Damian Gjiknuri, Oerd Bylykbashi, Petrit Vasili dhe Rudina Hajdari për të diskutuar të vetmen temë në agjendë, që është hapja e listave./h.e