Të mësosh gjuhën shqipe në shkollat e Turqisë.
Tani duket një mision i mundur. Që pas marrjes së masës se duke nisur nga viti i ardhshëm, shqipja do të vendoset si lëndë zgjedhore nëpër shkollat fillore të këtij vendi. Së bashku me gjuhën boshnjake, programi dhe materialet e lëndës të gjuhës shqipe do të vendosen tani e tutje në programin mësimor.
Ka qenë vetë drejtori i përgjithshëm i Arsimit Bazë në Ministrinë e Arsimit të Turqisë, Cem Gençoğlu, i cili ka deklaruar se kurrikula dhe materialet e mësimit për të dyja gjuhët do të përgatiten nga Universiteti Trakya.
“Ne gjuhën boshnjake dhe atë shqipe nuk e vërejmë si një gjuhë të huaj, por si një prej gjuhëve që vendosin lidhjet e qytetërimit tonë të përbashkët. Në Bosnje dhe Hercegovinë ndodhen 6 mijë nxënës boshnjakë që mësojnë turqisht, edhe ne themi që edhe fëmijët tanë të mund t’iu shprehin atyre ‘Dobri Dosli’. Shpresoj që edhe kjo nga pikëpamja jonë do të vlerësohet si një takim kulturor”, tha ai.
***
Mësimdhënia e gjuhës shqipe si lëndë me zgjedhje në shkollat 8-vjeçare në Turqi, përkrah kurseve intensive të pavarura të shqipes është konsideruar si një arritje e rëndësishme nga Ambasadori i Shqipërisë në Turqi, Genti Gazheli.
“Natyrisht, marrëdhëniet strategjike me Turqinë janë të përsosura dhe ne vazhdojmë të punojmë për cilësi të lartë në këtë aspekt. Gjithsesi, krahas këtyre marrëdhënieve të mira politike, fusha ekonomike mbetet përparësi, ku duhet punuar më tepër për këtë qëllim. Në këtë pikë ndërhyrja e Turqisë është thelbësore”, tha ai. Duke vlerësuar se Turqia është një ndër partnerët besnik të Shqipërisë dhe të çështjes shqiptare sipas tij, kudo në botë.
***
Në muajin prill të këtij viti, në Turqi u hap shkolla e parë shqipe. Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla ishte e pranishme në Izmir, në ceremoninë përkatëse, së bashku me homologun e saj turk, Ismet Yilmaz. Sipas tij, edhe pse dy vendet nuk kanë kufi të përbashkët, lidhjet e forta historike bëjnë që dy vendet të ndihen si dy vende të përkushtuara për njëra tjetrën me historinë dhe kulturën e përbashkët.
Duke shtuar se lidhjet me popullin shqiptar, do të forcohen tani e tutje përmes fëmijëve.
“Ju falënderoj dhe ju shpreh mirënjohje për këtë mundësi që i keni dhënë mësimit të gjuhës dhe kulturës shqipe”, iu përgjigj atij ministrja Nikolla. Duke hedhur më pas edhe idenë për binjakëzimin e shkollave të Shqipërisë, me ato të Turqisë.