Kjo është pyetja madhore që shtrohet me theks të veçantë në Gjermani këto ditë, në prag të 3 Tetorit, Ditës së shënuar të 33 vjetorit të ribashkimit gjerman. A është më e bashkuar apo më e ndarë Gjermania se përpara rënies së Murit të Berlinit?
Këtu ata i referohen dhe thënies emblematike lakonike të ish Kancelarit të saj legjendar Willy Brandt mbas shembjes së Murit të Berlinit se “ in Berlin zusammen geëachsen ist, was zusammen gehőrt” e shqipëruar “ Në Berlin u rrit ajo që ishte bashkë”!
Për këtë qëllim, për të 20-in vit rradhazi, më 25 Shtator 2023 në Gjermani u zhvillua një sondazh i Insitutit Federal “ Forsa” lidhur me perceptimin e shtetasve gjermanë mbi këtë temë me ndjeshmëri të madhe politike, publike dhe mediatike në vend dhe nëse është vërtetuar thënia e mësipërme lapidare.
Nga 1003 persona të intervistuar, vetëm 37 për qind e tyre mendojnë se gjermanët janë më të bashkuar se më parë; 60 për qind mendojnë se mbizotëron ndarja me efektet e saj negative.
Në këtë drejtim bie në sy se 75 për qind e shtetasve të ish pjesës lindore flasin për më shumë për ndarje se sa për bashkim; për më shumë ndarje se bashkim flasin dhe 69 për qind e shtetasve të moshës mbi 60 vjeç.
Nga këndvështrimi partiak, sipas sondazhit, në Partinë Social – Demokrate në pushtet, 71 për qind mendojnë se ka më shumë dallime se sa gjëra të përbashkëta mbas shembjes së Murit të Berlinit; ndërsa te Partia e Liberalëve FDP në koalicionin qeveritar prej dy vitesh, 48 për qind mendojnë se ka më shumë të përbashkëta, ndërsa 46 për qind flasin për ndarje.
Përqindja më e lartë e shtetasve që mendonin se mbizotëronte ndarja u shënua në vitin 2008, ndërsa më 2019 ky bilanc u bë për herë të parë pozitiv, me 51 për qind të të intervistuarve që mendonin se ka më shumë bashkim dhe 45 për qind më shumë ndarje.
Ndërkohë, në raportin e saj vjetor për këtë çështje, ashtu siç dhe pritej, qeveria gjermane shprehet se shumica e gjermanëve mendojnë se tani ka më shumë bashkim se sa ndarje, edhe pse aspektet ndarëse vazhdojnë të jenë të mëdha.
Siç mund të shihet, dhe në 33 Vjetorin e Ribashkimit dhe 34 vjetorin e shembjes së Murit të Berlinit, Gjermania është sa e ndarë aq dhe e bashkuar, madje në publik mbizotëron ideja e ndasive. Duke sintetizuar këtë dinamikë dhe problematikë, shkrimtari i shquar nobelist gjerman, i ndjeri, Gϋnter Grass thoshte se “Gjermania e bashkuar është më e ndarë se kurrë”
Të kuptohemi, këtu nuk bëhet fjalë thjesht dhe vetëm për shifra dhe sondazhe, por për realitete dhe përmbajtje tejet të prekshme.
Mbi të gjitha kjo ka të bëjë me faktin se dhe në Gjermani, kampione e demokracisë dhe begatisë ekonomike vazhdon të ndahet shqetësimi i madh se krahas mureve që bien, të tjerë po ngrihen dhe atje; kjo duket qartë në shtimin e dallimeve midis pjesës ish lindore dhe asaj perendimore. Këto tendenca negative janë konfirmuar vazhdimisht dhe nga Raportet e Qendrës Gjermane të Kërkimeve për Integrim dhe Migrimit. Sipas këtyre raporteve të viteve të fundit, veç disavantazheve të tjera, shtetasit e pjesës ish – lindore ose “ Ossit” siç njihen gjerësisht kanë nivelin më të ulët të pagave dhe të pozicioneve drejtuese elitare, dhe më të lartin përsa i përket papunësisë. Këto tendenca konfirmohen dhe nga Raportet e Agjencisë Federale të Punës, sipas të cilave, 60 qendrat dhe komunat gjermane me të ardhurat më të ulta ndodhen në pjesën ish lindore.
Tregues tjetër i rëndësishëm është pjesa që zenë ish-lindorët në pozicionet e larta drejtuese në jetën e vendit. Kështu, vetëm 2 për qind e tyre kanë pozita drejtuese. Ndonëse nëpërmjet të të ashtuquajturave « Ost quota » synohet që pjesa e tyre të ngjitet deri në në të paktën 7 – 10 për qind, sërish ajo mbetet shumë larg nivelit të pjesës perendimore. Dhe më keq paraqitet gjendja me rektorët e universiteteve, ku ka vetëm një të tillë nga pjesa ish-lindore! Po kështu, nga 25 Këto dallime i ka përshkruar me hollësi 3 vite më parë psikologu dhe publicisti i njohur, Stephan Grünewald në librin e tij “Was tickt Deutschland“ – ( Çpo ndodh me Gjermaninë?) Ndër të tjera ai thekson se nëse deri 30 vite më parë vendi ishte ndarë më dysh në « ne dhe ata„ tani kjo ndarje ka përfshirë gjithë shoqërinë gjermane në aspekte dhe dimensione nga më të ndryshmet. Sipas autorit, ka një gjendje të kënaqshme dhe ekonomi që rritet, papunësi që ulet, një sistem efikas të kujdesit social dhe mjeksor, etj. Por dhe këtu ka një ndarje ndërmjet elitës që nuk di ku t’i çojë paratë dhe pjesës më të madhe të popullsisë të cilës ato nuk i mjaftojnë as për gjërat bazë!
Gjithashtu mbetet aktual dhe një dokumentar i shfaqur për herë të parë në Televizionin kryesor publik gjerman « ZDF » më 5 Prill 2019, ku tregohej rrugtimi i ish-Presidentit gjerman Joachim Gauck ( 2012 – 2017) që vjen nga lindja, një ish pastor dhe ndër aktivistët më të shquar të lëvizjes qytetare që çoi në rrëzimin e Murit të Berlinit; Gauck pohon ndër të tjera se dallime të mëdha në Gjermani nuk ka vetëm midis lindjes dhe perëndimit por dhe vetë brenda ish-lindjes! Për të mos përmendur një pohim të një personazhi tjetër se ka shumë gjermanë që njohin më mirë lindjen amerikane se atë gjermane!
Për të shmagur këto dukuri negative dhe për ta « shkelur » më nga afër pjesën ish-lindore me të gjashtë landet e saj, disa kohë më parë, ish Kryeministri i Nord Rhein Westfalisë dhe kandidat për Kancelar Federal në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, Armin Laschet ndërmori nismën për një partneritet të rinisë shkollore dhe studentore perendimore me shkollat lindore. Në këtë kuadër, çdo 13 Gusht, në përvjetorin e ngritjes së Murit të Berlinit, grupe nxënësish nga qytete perendimore shkojnë për eskursione mësimore dhe qëndrime disa ditore në qytete të pjesës ish lindore, duke filluar nga Potsdami pranë Berlinit, me logon « Potsdami në vend të Parisit » Kjo nismë është shtrirë në lande të tjera perendimore dhe përfaqëson një ndër hapat dhe programet e shumta për ngushtimin e hendeqeve midis perëndimit dhe ish – lindjes gjermane.
Së fundi, këto të dhëna mjaftojnë për të treguar se kur janë ende hapur hendeqe të tilla midis dy ish Gjermanive, ndonëse RFGJ-ja ka shpenzuar çdo vit 5 për qind të GDP-së së saj për ish – lindjen gjermane, krahas ndihmave të tjera nga BE-ja dhe kur ish RDGJ-ja ka qenë ndër vendet më të përparuara ish lindore, mendoni se sa vështirë e kanë patur dhe do të vazhdojnë ta kenë vendet e tjera ish – lindore; sidomos ato të Ballkanit Perendimor dhe më konkretisht vendi ynë! Ja pse, në vend që të mburremi e të rrahim gjoksin gjithandej për “ bëmat” dhe arritjet tona, është më e udhës të vazhdojmë të mësojmë nga përvoja e vendeve të tjera “ simotra” dhe më konkretisht nga të dy Gjermanitë si dhe nga Kroacia, Slovenia, vendet Balltike etj.Kjo datë e shënuar është një rast i artë dhe në këtë drejtim.
© 2023 Argumentum