Në platformën elektronike kanë aplikuar rreth 50 mijë qytetarë për dëmshpërblim apo përfitim nga programet e rindërtimit për tërmetin sipas shifrave të bëra sot publike nga Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj në konferencën e zhvilluar online me donatorët. Në 11 bashkitë e vendit kanë aplikuar 48,708 qytetarë.
Nga këto 25,863 janë klasifikuar DS1, DS2, DS3 për rikonstruksionin nëpërmjet granteve, ndërsa 22,845 janë klasifikuar DS4, DS5 dhe do të përfshihen në programet e rindërtimit. Faza e aplikimeve në platformën elektronike zgjati 1 muaj nga 28 janari deri në 28 shkurt.
“Pas opinionit të inxhinierëve dhe institucionit, më pas këshilli bashkiak do të marrë një vendim të mirëinformuar mbështetur te dosjet teknike-ligjore dhe financiare dhe do të vlerësohet se sa do të jetë masa e përfitimit nga programi.”
Bonus qiraje do të përfitojnë 12,951 familje sipas shifrave të ministrisë të Rindërtimit, ndërsa 2,043 familje do t’u ndërtohen shtëpitë dhe 2,708 familje janë akomoduar në tenda. Nga familjet e vendosura në tenda mbi 750 familje ndodhen në Tiranë, 751 familje në Krujë, 422 në Durrës dhe 322 në Kurbin. Nga lejet e dhëna për ndërtimin e 2,403 shtëpive, me procedurë të përshpejtuar, 1150 janë në Tiranë, 632 në Durrës, 93 në Kamëz dhe 106 në Kurbin.
Ahmetaj tha se vlersimi i thelluar ka përfunduar për 357 janë apartamente kolektive, 3,529 shtëpi individuale, 99 institucione publike, 108 objekte arsimore dhe 15 qëndra shëndetësore. “Më shumë se 1 muaj më parë vlersimi i thelluar ishte në proces e sipër, ndërkohë që tani si ligjërisht dhe teknikisht ka përfunduar.”
Ministri i Rindërtimit u tha donatorëve se nesër do t’u dorëzohet i gjithë dokumentacioni i miratuar nga komisionin e rindërtimit. “Dosjet i kemi përkthyer nëse doni t’i monitoroni. Në Durrës po punojmë, Shijaku është në fazë të përparuar, Laç 1 dhe Laç 2 është miratuar po ashtu, etj. Ju mund të merrni të gjitha dosjet dhe mund t’i studioni. Do të presim edhe nisjes e fluturimeve normale nga Turqia që ekipi të vijë dhe të nisë projektin.
Me qeverinë turke jemi në një fazë të përparuar, më pas me qeverinë gjermane jemi praktikisht në hapjen e fundit procesit. Me BE-në jemi në një proces të përparuar, kur bëhet fjalë për 15 mln eurot për 22 objektet arsimore. Me Katarin flas shpesh, kanë premtuar 4.6 mln euro për objekte arsimore. Gjatë 2-3 ditëve do të merrni të gjitha dosjet me të gjitha detajet. Të gjitha huatë dhe kontributet dhe fondet do të negociohen, është një program që shikon përtej 2025. Kjo është ajo çka është bërë deri tani”, u shpreh Ahmetaj.