Pas prishjes së teatrit dhe protestës së qytetarëve e artistëve, kryebashkiaku Erion Veliaj ka reaguar në rrjetin social “Facebook”, duke thënë se ndërtimi i teatrit ishte një vendim i vështirë por i drejtë.
“Po aq i drejtë sa çdo vendim i mirë që kemi marrë në këto 5 vite për ta çuar përpara Tiranën tonë, qyteti ku po rrisim fëmijët tanë. Por, teksa përgatitemi të nisim punën për Teatrin e Ri, i ftoj të gjithë, që nesër, ta bëjmë edhe më të mirë projektin që kemi në tavolinë. Ai teatër do të jetë për artistët dhe qytetarët, për fëmijët tanë,” është shprehur Veliaj.
Më tej kryebashkiaku tha se diskutimi për një teatër të ri ka kohë që ka nisur dhe Teatri ishte një ndërtesë e amortizuar.
Veliaj theksoi se ka qenë në diskutime edhe me personat që kanë qenë kundër gjithçkaje, por edhe me personat që kanë qenë kundër disa ndërtimeve të reja.
Më tej në deklaratën e tij Kryebashkiaku i Tiranës tha se kanë negociuar për një sërë idesh që kanë pasur artistët dhe e kanë ndërruar shumë herë projektin për ndërtimin e teatrit kombëtar. Sapo na u transferua prona ne kërkuam, siç kërkojmë tipikisht për çdo pronë që na transferohet, që të verifikohet nga Instituti i Ndërtimit, që e verifikoi në vitin 2018 si një ndërtesë të amortizuar dhe të rrezikshme siç u pa nga rënia e lehtë.
Në momentin që u bëmë pronarët e rij të kësaj ndërtese, nëse diçka do t’i ndodhte secilit prej atyre që okuponte atë pronë publike pa drejtë pa letra po dokument, do të rrezikonte jetë dhe përgjegjës do të ishte pronari i asaj prone,” shtoi Veliaj.
Gjithashtu kryebashkiaku tha se teatri i vjetër iku dhe duhet të përgatitemi për teatrin e ri, duke nxjerrë mësime e një ndër to sipas Veliaj është bashkëpunimi.
Veliaj deklaroi se e gjithë ndërtesa ishte popullit, tallash, teneqe, nuk kishte asnjë kolon betoni dhe armaturë duke qenë e rrezikshme.
“Unë nuk mbaj mend që për çdo punë të madhe që kemi bërë në Tiranë të mos jetë debatuar të mos jenë përfshirë lloj-lloj politikanësh që na kanë përçarë këto 30 vjet. Mendojnë vetëm çfarë votash do të kapitalizojnë po të fusin shqiptarët në sherr dhe pastaj siç e patë shkojnë në vilat e tyre,” shtoi Veliaj.
Përpos irritimit që është krijuar në vend kryetari i Bashkisë së Tiranës e ka një argument që e nxjerr paq nga kjo histori.
Ai ka bërë disa vepra të cilat po ashtu janë shoqëruar me protesta dhe debate.
Edhe në ligjëratën e sotme ai tha se e njëjta histori ka ndodhur edhe me Parkun te Liqeni Artificial, edhe me Sheshin Skënderbej, edhe me Bulevardin Zogu i Parë, apo dhe me Unazën.
Nuk dimë nëse teatri i ri do të jetë më të vërtet një vepër e arrirë dhe Veliaj t’ua mbyllë gojën të gjithëve, apo aty kemi hilen për të ndërtuar disa kulla.
Derisa të shohim punën konkrete jemi të detyruar të ndjekim fjalën e Veliaj dhe protestën e opozitës.
h.e./Argumentum