Seanca plenare e së enjtes në Kuvend ka nisur me përplasje mes përfaqësuesve të opozitës dhe atyre të mazhorancës.
Kryeparlamentarja Lindita Nikolla u ka kërkuar deputetëve të Partisë Demokratike që të ulen në vendet e tyre dhe që seanca të zhvillohet normalisht, por deputetët kanë refuzuar kategorikisht duke mbajtur qëndrimin e tyre.
Pjesë e seancës së sotme janë edhe 23 deputetët e përjashtuar, të cilët javën e kaluar bllokuan foltoren, hoqën mikrofonët dhe nuk lejuan ministrat që të ulen në vendet e tyre, duke mos lejuar zhvillimin normal të seancës.
E parashikuar për të qenë një seancë ku deputetët do të prezantonin shqetësimet dhe kërkesat e zgjedhësve sipas zonave, deputetë të opozitës nuk kanë lejuar vijimin normal të punimeve, duke bllokuar foltoren dhe akuzuar Kryetaren e Kuvendit se po shkel rregulloren.
Deputetë të opozitës bllokuan foltoren dhe tentuan të ndalojnë dhe mos lejojnë që deputetët të mazhorancës të marrin fjalën. “Prej tre javësh e keni futur Kuvendin e Shqipërisë në ngërç duke pamundësuar funksionimin normal të tij me veprime të paprecedenta duke nisur nga sjellja juaj zonja kryetare, dhe më pas me votime antikushtetuese, keni marrë vendimin për të asgjësuar opozitën në Kuvend”, tha Bardhi, duke iu referuar rrëzimit të propozimit të grupit të “Rithemelimit” për ngritjen e tre komisioneve hetimore.
Nga krahu tjetër, Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, për shkak të tensioneve në Kuvend ka ndërprerë tri herë seancën, teksa deputeti i opozitës Bledion Nallbati u përplas dhe fizikisht me deputetin socialist Vullnet Sinaj. Nga ky akt, deputeti Nallbati u përjashtua nga seanca.
Gjatë vijimit të punimeve mes tensioneve, disa prej deputetëve të Partisë Socialiste arritën të artikulonin dhe disa qëndrime.
Në fjalën e tij, deputeti i Partisë Socialiste Ismet Beqiraj, u tha deputetëve të opozitës se kështu nuk merret pushteti.
“Po i tregoni popullit se s’keni për të ardhur kurrë në pushtet. Sot jemi mbledhur për të diskutuar dhe peshën më të madhe duhet ta kishit ju. Më vjen keq ju që keni folur dhe keni luftuar për të drejtën e fjalës. Unë në respekt të thinjave që kam, pa dallim krahu, po u drejtohem me një thënie të Naim Frashërit: Të gjithë jemi një farë, s’kemi asgjë për të ndarë”, u shpreh Beqiraj.
Deputetja tjetër e PS, Pranvera Resulaj u shpreh se zhvillimi me sukses i samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë ka “nxirë” opozitën. Ndërkohë deputetja e PS, Milva Ekonomi ka vënë theksin tek “Tetori Rozë”, duke bërë apel për sa më shumë kontrolle dhe parandalim. “Në këtë javë të gjelbër dua të falenderoj punën e çmuar që kanë bërë qendrat shëndetësore në kuadër të “Tetorit Rozë”. Vetëm në qarkun e Durrësit qendrat shëndetësore kanë kryer 44 mamografi të lëvizshme. Gjithashtu kanë ndihmuar të moshuarit në ofrimin e shërbimeve të ndryshme dhe vaksinimin kundër gripit. Në Durrës është kryer 45 % e vaksinave”, tha Ekonomi.
Në vijim të diskutimeve sërish opozita nuk i ndali tensionet, çka solli që Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla të vendosë mbylljen e seancës plenare. “Ju keni ardhur me paramendim për të bllokuar seancën. Nuk doni të flisni për shqetësimet e qytetarëve. Deputetët e Partisë Socialiste folën. Këtu e quaj të mbyllur seancën plenare”, tha Nikolla.