Situata në rajonin e Gjirit është përshkallëzuar sërish me incidentin e fundit që ka përfshirë këtë radhë një anije cisternë britanike. Mjetet lundruese iraniane janë përpjekur ta ndalojnë cisternën përpara se të dëboheshin nga një anije e marinës Mbretërore. HMS Montrose u pozicionua midis tre anijeve të Republikës Islamike dhe cisternës British Heritage përpara se të lëshonte disa paralajmërime verbale.
Veprimin e iranianëve, një zëdhënës i Qeverisë britanike e cilësoi si “në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”. Por Irani e mohoi përpjekjen e konfiskimit, e kjo në një kohë kur herët kishte kërcënuar të hakmerret për sekuestrimin e njërës prej anije të veta cisternë.
Sipas njoftimeve në mediat amerikane, të cilat citonin disa zyrtarë të lartë amerikanë, anijet që besonin se i përkisnin Trupave të Gardës Revolucionare iraniane iu afruan British Heritafe ndërsa ajo po lëvizte në Ngushticën e Hormuzit.
“Ne jemi të shqetësuar me këtë veprim dhe vazhdojmë t’iu bëjmë thirrje autoriteteve iraniane që të shtensionojnë situatën në rajon”, thuhet në deklaratën e qeverisë britanike.
Garda Revolucionare e Iranit mohoi se ka bërë përpjekje të ndalojë cisternën britanike, raporton agjencia iraniane e lajmeve Fars.
“Nuk ka pasur konfrontime në 24 orët e fundit me ndonjë anije të huaj, përfshirë atë britanike”, tha Garda Revolucionare e Iranit.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, tha se Britania i bën pretendimet e tilla “për të krijuar tensione”. “Këto pretendime nuk kanë vlerë”, tha Zarif.
Javën e kaluar marina mbretërore britanike i ndihmoi autoritetet në Gjibraltar të kapin një anije cisternë të Iranit, me argumentin se kishte prova që dëshmonin se ajo po i drejtohej Sirisë, duke shkelur kështu sanksionet e Bashkimit Evropian.
Shtetet e Bashkuara e kanë fajësuar Iranin për sulme ndaj gjashtë cisternave të naftës në maj dhe qershor.
Ushtria amerikane tha të mërkurën se do të krijojë një koalicion shumëkombësh ushtarak për të mbrojtur ujërat rreth Iranit dhe Jemenit.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po ashtu kërcënoi se do të shtojë sanksionet kundër Iranit.