Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta thirri sot mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku u diskutua rreth zhvillimeve më të fundit në kufirin Ukrainë – Rusi, si dhe rreth pasojave të një përshkallëzimi të mëtejshëm nga një agresion i mundshëm ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.
Presidenti Meta theksoi në mënyrë të veçantë domosdoshmërinë e evidentimit dhe mbajtjes së kontakteve me qytetarët shqiptarë me banim të përkohshëm në Ukrainë dhe mundësimin e evakuimit të tyre në rast nevoje, vijimin e reformave në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, forcimin e kapaciteteve kundër sulmeve kibernetike, marrjen e masave për rritjen e sigurisë së infrastrukturës strategjike dhe garantimin e rezervave të shtetit për çdo rast, si dhe ndjekjen me vëmendje maksimale të zhvillimeve në rajonin tonë.
Presidenti Meta dhe anëtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare konfirmuan se, Shqipëria, edhe si vend anëtar i NATO-s dhe anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, është në krah të Ukrainës, në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të saj, si dhe nxit dialogun dhe rrugën paqësore për zgjidhjen e krizës aktuale.
Më heret edhe Kuvendi i Shqipërisë ka shprehur mbështjen sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, përmes një postimi të publikuar në FB të hënën.
“Kuvendi i Shqipërisë, në këtë situatë të vështirë, dëshiron të ritheksojë mbështetjen e Shqipërisë ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe të përsërisë thirrjen ndaj Rusisë për të shpërshkallëzuar dhe zgjidhur situatën në mënyrë diplomatike”.
Ishte kjo një formë për të ripërtërirë thirrjen e saj drejtuar Moskës për të de-përshkallëzuar dhe zgjidhur situatën në mënyrë diplomatike.