A do të mbizotërojnë teoritë e komplotit në zgjedhjet parlamentare të Majit? Janë bërë vërtet shqetësuese, dhe liberalët demokratë e kanë të vështirë t’u bëjnë ballë. Shikoni se sa shpejt u përhap fjala në rrjete shoqërore, duke u përforcuar menjëherë nga e djathta ekstreme në Francë, se marrëveshja e fundit e firmosur në Ahen nga Emanuel Makron dhe Angela Merkel ishte në fakt një plan i mbrapshtë, për shitjen e Alsas-Lorenës ndaj Gjermanisë.
Shikoni se si koalicioni në Itali, i drejtuar kryesisht nga e djathta ekstreme, tha se Franca e ka shkaktuar emigrimin në masë në Europë ngaqë nuk ka ndaluar kurrë së kolonizuari vendet në Afrikë, në një tjetër përplasje diplomatike midis Parisit e Romës. Kjo erdhi menjëherë pasi forcat populiste nëpër Europë e quajtën marrëveshjen e OKB-së për emigrimin “një mjet për të importuar me dhjetëra miliona emigrantë në Europë”. Ata kanë për ta përdorur këtë argument edhe gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare europiane.
Tashmë do të jemi mësuar me teori komploti, si narrativat e shumta konfliktuale që janë hedhur vazhdimisht nëpër Europë. Kryeministri hungarez, Viktor Orban, i ngriti dhe i bëri pothuajse metodë qeveritare, duke organizuar një fushatë kundër miliarderit Xhorxh Soros. Në Poloni, nacionalistët që drejtojnë partinë “Ligj dhe Drejtësi”, dhe udhëheqësi i tyre, Jaroslav Kaçinski, kanë vite që japin versione të ndryshme të rrëzimit të avionit në vitit 2010, në të cilin vdiq presidenti i atëhershëm dhe vëllai i tij, Lech Kaçinski. Ata madje kanë akuzuar edhe Donald Tusk, një kritik i Kaçinskit, se ka pasur të bëjë me tragjedinë.
Brexiti është pjesërisht pjesë e propagandës, me idenë e përhapur që BE-ja do të jetë aty për ta penguar Britaninë vetëm nga inati. Ata që flasin për universe alternative, është vështirë të kuptohet nëse i besojnë edhe vetë, por është e qartë që besojnë se do të fitojnë pikë prej kësaj metode. Hanah Arendt ka shkruar se gënjeshtrat dhe teoritë e komplotit i kanë shtyrë njerëzit që të gjejnë strehë te cinizmi, dhe nuk kishte fare rëndësi nëse njerëzit e besonin teorinë apo jo. Edhe po të zbuloheshin gënjeshtrat, njerëzit do të admironin udhëheqësin për dinakërinë dhe taktikën.
Sigurisht që kjo nuk është një tipar vetëm i europianëve. Donald Trump përdori “të lindurit aty”. E mbani mend çmendurinë e “pizzagate” për Hillari Klintonin? Presidenti turk, Erdogan, ka burgosur me mijëra njerëz duke u bazuar te “komploti” i nisur kundër tij nga Gyleni. Putini sheh me kënaqësi se si propaganda ruse për marrjen e Ukrainës nga fashistët, që nga viti 2014, vazhdon të përdoret nga ekstremistët e djathtë e të majtë.
Por shqetësohem sidomos për rritjen e shpejtë të teorive të komplotit në Europë, duke parë se si kanë mundësi të ndikojnë votën që ka fuqinë të përcaktojë të ardhmen e BE-së. Edhe pse lajmet e rreme mund të kenë origjina të ndryshme, si blogerët maqedonas që përpiqen të bëjnë para nga propaganda në favor të Turmp-it, shumica e teorive të komplotit që po qarkullojnë tani në Europë janë qëllimisht manipulative, u shërbejnë programeve specifike politike, dhe janë të llogaritura për të mbjellë paranojë e armiqësi jo vetëm mes popullatës, por edhe midis kombeve. Duke bërë këtë, duan të prishin bazën e BE-së.
Unë i kam kaluar disa vite të fëmijërisë në Alsas. Jam pjesë e brezit që u rrit duke përfituar nga programet e Zyrës për Rininë Franko-Gjermane, të themeluar nga De Gol dhe Adenauer, nëpërmjet Traktatit të Elizesë, në vitin 1963 (miqësia që po përpiqen të rikrijojnë Merkeli dhe Makroni). Zbulova festivalin e birrës në Mynih me një student gjerman, teksa qëndroja te familja e tij, në Augsburg. Më lindi tërheqja drejt gazetarisë pasi një mësues gjerman na vuri të lexonim artikuj nga Gynter Ualrafi, gazetari i infiltruar që kishte zbuluar kushtet e këqija të emigrantëve turq në Gjermani.
Europa është një udhëtim personal me shumë fytyra, për shumë prej nesh, por pajtimi franko-gjerman ka gjithnjë diçka pothuajse të shenjtë. Po e kujtoj këtë në përpjekje për të përcjellë tronditjen që nguli aq thellë në mendjen tonë teoria e komplotit për shitjen e Alsas-Lorenës. Nuk të jepte siguri as fakti që qeveria gjermane ishte kapur e papërgatitur për këto thashetheme paranoje.
Kur sheh ringjalljen e fiksimeve territoriale, të cilat i dinim të groposura prej kohësh, kupton se sa të brishta janë bërë disa nga arritjet e projektit të BE-së. Vite më parë, një gjë e tillë do të kishte qarkulluar midis grupeve shumë të vogla, por tani është përhapur në media shoqërore, dhe zgjidhen me kujdes nga udhëheqësja e së djathtës ekstreme në Francë, Marin Le Pen, bashkë me të tjerë. Çfarë pritet tani? Vështirësitë që patën Greqia dhe Maqedonia për të kapërcyer mosmarrëveshjet mes tyre, tregojnë sesi teoritë e komplotit, të kombinuara me dehje historike, mund të krijojnë një stuhi të përkryer.
Europa është një bashkim kombesh që e kanë të shkuarën të mbushur me konflikte, të cilat janë shkaktuar nga manipulimi dhe paranoja. Kështu që, duhet të gjejmë mënyra më të mira për ta asgjësuar rrezikun e teorive të komplotit. Faktet mund të mos mjaftojnë për të ushtruar presion mbi gjigantët e internetit, siç po përpiqen të bëjnë institucionet e Brukselit.
Karl Popper shkroi në librin e tij, “Shoqëria e Hapur dhe Armiqtë e Saj”, se teoritë e komplotit bazoheshin në faktin që universi ishte i dizenjuar që të ishte i qeverisur, dhe bazoheshin në tri parime: asgjë nuk ndodh rastësisht; asgjë nuk është siç duket; çdo ngjarje ka lidhje. Deklaratat e tepruara për organizata të fshehta politike mund të besohen më shumë në Europë se në vende të tjera, për shkak të historisë. Pas më pak se katër muajsh, kur qytetarët të votojnë, a do të ndikohen nga kjo? Shenjat janë që ky rrezik sa vjen e rritet, ndaj duhet të marrim masa shpejt.
Guardian