Qindra persona kanë vdekur dhe mijëra të tjerë janë lënduar në Turqi dhe në Siri, pasi një tërmet i fuqishëm 7.8 ballësh goditi juglindjen e Turqisë, në orët e hershme të 6 shkurtit. Epiqendra e tërmetit ishte afër qytetit turk Gaziantep. Nga tërmetet e fuqishme që goditën Turqinë dhe Sirinë, janë vrarë mbi 1.800 persona.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha në një konferencë për shtyp se Turqia regjistroi të paktën 912 të vdekur, me rreth 5,400 të plagosur. Ai tha se nuk mund të parashikonte se sa do të rriten këta numra ndërsa përpjekjet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë, dhe se të paktën 2,800 ndërtesa janë shembur.
Zyrtarët sirianë të shëndetësisë thanë se të paktën 326 njerëz u vranë në zonat e kontrolluara nga qeveria, ndërsa punonjësit e shpëtimit thanë se të paktën 100 të tjerë vdiqën në zonat e kontrolluara nga kryengritësit.
Tërmeti prej 7.8 shkallësh të Rihterit goditi të hënën juglindjen e Turqisë dhe veriun e Sirisë.
Agjencia për menaxhimin e emergjencave raportoi se të hënën u regjistrua edhe një tërmet i ri prej 7.6 ballësh, afër epiqendrës së tërmetit paraprak vdekjeprurës, duke shkaktuar dridhje të tjera të tokës.
Presidenti turk tha më herët se 5.400 persona janë plagosur, ndërkaq 2.470 të tjerë janë nxjerrë nga rrënojat.
Afër 3.000 ndërtesa janë rrëzuar nga tërmeti, tha ai.
“Për shkak se heqja e rrënojave po vazhdon në shumë ndërtesa që gjenden në zonën e tërmetit, ne nuk e dimë se sa do të rritet numri i të vrarëve dhe të plagosurve”, tha Erdogan.
Ai tha se ka pranuar ndihmë nga rreth 45 shtete të botës.
Afër 9.000 persona po marrin pjesë në operacionet e shpëtimit.
Edhe zyrtarët në Siri kanë raportuar po ashtu për mijëra persona të plagosur.
Sipas autoriteteve të Turqisë, dhjetë qytete turke janë prekur nga tërmeti. Ato janë: Gaziantepi, Kahramanmarashi, Hatai, Osmanije, Adijamana, Malatia, Shanliurfa, Adana, Dijarbakiri dhe Kilisi.
Bota ofron ndihmë për Turqinë dhe Sirinë
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi se është në kontakt me Erdoganin dhe Çavuşoğlun pas tërmetit në Türkiye, duke shtuar se “aleatët aktualisht po mobilizojnë mbështetjen”.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock janë shprehur të tronditur pas tërmetit shkatërrimtar në rajonin turko-sirian. “Ne pikëllohemi thellë për të afërmit e viktimave dhe jemi të shqetësuar për ata që janë në rrënoja”, shkroi Scholz në twitter. “Gjermania do të dëgojë vetëkuptueshëm ndihmë”. Kurse Baerbock shkroi, se “mendimet e mia janë tek të afërmit e viktimave të kërij tërmeti të tmerrshëm dhe me të gjithë ata që kanë frikë pë familjet e tyre, miqtë dhe fqinjët”, shkroi Baerbock në twitter. “Ne do të ofrojmë me partnerët tanë ndihmë të shpejtë”, theksoi Baerbock. Tronditje kanë shpehur edhe presidentja e Bundestagut, Bärbel Bas (SPD) si edhe përfaqësues të partive të ndryshme gjemane, SPD, Të Gjelbrit, FDP, CDU/CSU dhe partia E Majta.
Shtëpia e Bardhë i ka ofruar ndihmë Turqisë pas tërmetit. Këshilltari për Sigurinë në Shtëpinë e Bardhë, Jake Sullivan tha se i ka bërë të ditur palës turke, se SHBA janë gati për ndihmë shpëtimi. Sullivan shkroi në twitter, se SHBA është mjaft e tronditur pas tërmetit shkatërrues në Turqi dhe Siri. Greqia megjithë tensionet me Turqinë është e gatshme të ndihmojë. Kryeministri grek, Kiriakos Mitsotakis është shprehur, se “Greqia do të ndihmojë menjëherë”. Greqia zotëron ekipe shpëtimi me përvojë në situatën e tërmeteve.
Mbretëria e Bashkuar ka reaguar gjithashtu nëpërmjet sekretarit të jashtëm Cleverly, i cili thotë se MB-ja qëndron e gatshme të dërgojë ndihmë për pasojat e tërmetit 7.4 ballësh që goditi Türkiyen jugore.
Edhe Franca shprehu solidaritetin e saj me Türkiyen, duke i dërguar ngushëllime popullit turk.
Mesazh ngushëllimi dërgoi edhe Rusia. Ata u solidarizuan me Türkiyen pas tërmetit shkatërrues, duke shprehur shpresën se ky vend do ta kalojë fatkeqësinë me sa më pak humbje.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, nga ana tjetër shkroi në profilin e tij në Twitter se Kievi është i gatshëm të ofrojë ndihmë për Ankaranë pas tërmetit 7.4 shkallësh që goditi pjesët jugore të Turqisë.
“I shpreh ngushëllimet e mia Presidentit Rexhep Tajip Erdogan, popullit turk dhe familjeve të atyre që humbën jetën në tërmetin në Türkiye dhe u uroj shërim të shpejtë të gjithë të plagosurve. Ne jemi me popullin turk në këtë kohë të vështirë. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmën e nevojshme për të kapërcyer pasojat e fatkeqësisë”, tha ai. Zelensky.
Presidenti izraelit Isaac Herzog shprehu gatishmërinë e Tel Avivit për të mbështetur Ankaranë në tejkalimin e pasojave të tërmetit shkatërrues.
Kryeministri indian Narendra Modi tha në një mesazh se ai ishte thellësisht i prekur nga humbjet e jetës dhe dëmet materiale në tërmetin shkatërrues në Türkiye.
Presidenti i Azerbajxhanit, Aliyev, i dërgoi një mesazh ngushëllimi Erdoganit lidhur me vuajtjet e njerëzve nga tërmeti në jug të Türkiyes.
Azerbajxhani ka dërguar ekipe të shumta kërkim-shpëtimi në Türkiye dhe presidenti Aliyev deklaroi në një mesazh për kolegun e tij Erdoğan se Baku është i gatshëm të ofrojë të gjithë ndihmën e nevojshme për popullin vëlla turk.
Edhe Pakistani i dërgoi një mesazh ngushëllimi Türkiye për humbjen e jetëve në tërmetin shkatërrues.
Duke kujtuar se Türkiye i ka zgjatur dorën e ndihmës Pakistanit në të gjitha momentet e vështira, kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif theksoi se Islamabadi do t’i ofrojë gjithë ndihmën e mundshme popullit turk.
Shqipëria dhe Kosova – të gatshme të ndihmojnë Turqinë
Autoritetet në Shqipëri dhe Kosovë thanë se janë të gatshme të mbështesin Turqinë, për t’u përballur me pasojat e tërmetit.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, u shpreh “thellësisht i trishtuar nga tërmeti shkatërrues që goditi Turqinë dhe Sirinë këtë mëngjes. Unë dhe shqiptarët qëndrojmë pranë njerëzve të prekur dhe familjeve që humbën të dashurit e tyre në këtë tragjedi të tmerrshme. Mendimet dhe lutjet tona të sinqerta janë me ata!”, shkroi presidenti Begaj.
Kryeministri shqiptar Edi Rama, duke shprehur ngushëllimet për humbjen jetëve tha se “një mision shpëtimi do të niset sot për në Turqi”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se “Republika e Kosovës është gati të ofrojë mbështetjen e nevojshme edhe nëpërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës”.
Kryeministri Albin Kurti, tha po ashtu se Kosova është e gatshme të ndihmojë në këtë kohë të vështirë.
Turqia është në një nga zonat më aktive të tërmeteve në botë.
Në vitin 1999, 17,000 njerëz humbën jetën kur një tërmet me magnitudë 7.4 – më i rëndi në dekada goditi në veriperëndim të vendit.
/Mbështetur në agjencitë e lajmeve Associated Press, VOA, Trt shqip