30 sekonda u shkund toka në Egje duke lënë pas një pamje shkatërrimi. Ndihmësit vullnetarë dhe të afërmit ende kërkojnë për të mbijetuar në rrënojat e metropolit perëndimor turk, Izmir.
Pas tërmetit të fortë në Detin Egje që solli shumë shkatërrime vazhdojnë kërkimet e shpëtimit. Në metropolin turk, Izmir ndihmës vullnetarë kërkonin ende të shtunën për të mbijetuar. Sipas të dhënave të autoriteteve numri i viktimave u rrit në 25 vetë në Turqi, më shumë se 800 vetë janë plagosur, dy vetë humbën jetën në ishullin grek Samos. 100 vetë janë shpëtuar. Një grua madje arriti të shpëtohej pas 17 orësh, kurse të shtunën pas 23 orësh shpëtohet nëna me tre fëmijë në Izmir. Edhe në ishullin grek Samos dy vetë humbën jetën.
Mijëra vetë e kaluan natën përjashta, sipas të dhënave të kryetarit të bashkisë së Izmirit, Tunc Soyer. Në Izmir katër ndërtesa janë shkatërruar plotësisht, kurse lagjja Bayrakli është goditur më rëndë nga tërmeti. Kudo janë ngritur çadra dhe ndihmës vullnetarë kanë shpërndarë ushqime. Edhe të shtunën në mëngjes ka pasur një tërmet pasues 5 ballë, kurse gjatë natës ka pasur disa qindra tërmete të vegjël. Edhe në ishullin Samos ka pasur mjaft ndërtesa të shkatërruara e përmbytje pas një cunami të lehtë.
Tërmeti i parë të premten sipas të dhënave të Qendrës së Katastrofave në Turqi kapi shkallën 6,6 ballë. Qendra ishte në Egje, para qytetit turk, Izmir. Si në ishullin grek Samos edhe në bregun perëndimor turk, depërtuan ujërat në zonat bregdetare pas një cunami të lehtë duke sjellë përmbytje. Megjithë disa paralajmërime nuk pati një valë të dytë të fortë të cunamit.
Presidenti turk, Erdogan dhe kryeministri grek, Mitsotakis telefonuan të premten në mbrëmje, megjithë tensionet politike mes dy vendeve për shkak të kërkimeve për gaz në Egje. Në twitter ata i shprehën njëri-tjetrin solidaritet në këtë situatë. Edhe NATO dhe Bashkimi Europian i ofruan Turqisë dhe Greqisë mbështetjen e tyre.