Tre skuadrat shqiptare që morën pjesë në operacionet e kërkim-shpëtimit, pas dy tërmeteve shkatërrimtare në Turqi, përfunduan punën e tyre dhe rikthyen sot në atdhe.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjete sociale videon nga pritja e organizuar me këtë rast teksa shkroi, “Krenari dhe respekt për 3 skuadrat e vajzave e djemve nga Forcat e Armatosura, Emergjencat Civile dhe Shërbimi Shëndetësor, të cilët përgjatë 11 ditëve e netëve u angazhuan në operacionet e kërkim-shpëtimit në zonat e shkatërruara nga tërmeti katastrofik në Turqi”.
“Ata kthehen në atdhe, duke marrë me vete respektin e mirënjohjen e popullit turk, të mediave e të autoriteteve turke, që njëzëri e kanë vlerësuar Shqipërinë si vendi i vogël me zemër të madhe”, u shpreh kryeministri Rama.
Shqipëria iu përgjigj menjëherë thirrjes për ndihmë të Turqisë pas ngjarjes së rëndë dhe brenda 24 orëve në zonat e tërmetit mbërriti ekipi i parë i parë shqiptar i shpëtimit.
Gjithashtu, në emër të pupollit shqiptar, Kryeministri i vendit Edi Rama u bë pjesë e fushatës ndërgjegjësuese, duke dhuruar 1 milion euro në ndihmë të rindërtimit.