Qeveria shqiptare i është përgjigjur menjëherë thirrjes për ndihmë, pas tërmetit shkatërrimtar në kufirin mes Turqisë dhe Sirisë që shkaktoi viktima të shumta, të plagosur dhe dëme të konsiderueshme.
Një mision ndihme nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë, dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, në përbërje të të cilit janë 53 personel mjekësor, specialistë të kërkim-shpëtimit si dhe 7 mjete janë nisur drejt Turqisë, ku do të marrin pjesë në operacionet e kërkim-shpëtimit, për të lehtësuar sadopak pasojat e kësaj tragjedie.
Pjësëtarët e ekipit që do të marrin pjesë në këtë mision solidariteti u përcollën në një ceremoni të veçantë, ku mori pjesë edhe ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi. Teksa shprehu mirënjohjen edhe në emër të Kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë shqiptare për të gjithë personelin që do të angazhohet në këtë operacion, Peleshi tha se ky është një kontribut që i kthehet Turqisë, e cila e ka ndihmuar Shqipërinë vazhdimisht edhe gjatë tërmetit të 26 nëntorit 2019.
“Turqia është një vend mik shumë i rëndësishëm për ne, që na ka mbështetur vazhdimisht. Kështu që në një farë mënyre ky është kthim i kontributit. Por, edhe nëse një fatkeqësi do t’i ndodhë një vendi tjetër, Shqipëria jonë e vogël do të tregojë se është gjithmonë e gatshme që kapacitetet e veta t’i vendosë në dispozicion, sepse në emergjencë apo solidaritet ne jemi tashmë pjesë edhe e Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, ku nuk jemi vetëm për të marrë, por edhe për të dhënë. Unë ju falënderoj shumë për kontributin që do të jepni aty. Mirënjohje edhe në emër të qeverisë shqiptare, Kryeministrit dhe të ktheheni shëndoshë”, u shpreh ministri Peleshi në ceremoninë e përcjelljes së ekipit shqiptar.
Pjesë e ceremonisë ishin edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralbrigade Arben Kingji, drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes Civile Haki Çako si dhe komandantë forcash të FA.