Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen deklaroi sot gjatë një konference me kryeministrin kroat se më 17 shkurt do të zhvillohet konferenca e donatorëve për Shqipërinë.
Ajo nënvizoi se Shqipëria dhe Maqedonia Veriore i përmbushën kushtet e vendosura, tani është radha e BE-së për të filluar bisedimet e pranimit.
“Metodologjia e re e zgjerimit do të prezantohet para samitit të Zagrebit. Hapje e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do jetë paralelisht me reformimin e procesit të zgjerimit”, tha Von Der Leyen.
Edhe delegacioni i Bashkimit Europian e konfirmoi përmes një postimi në “Twitter”.
“Konferenca e donatorëve për të ndihmuar Shqipërinë në përpjekjet e saj për rindërtim pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit të vitit të kaluar do të zhvillohet në 17 shkurt 2020 në Bruksel. Bashkimi Evropian qëndron pranë Shqipërisë”, shkruan delegacioni.