Tirana nuk e kishte ndjerë prej dekadave tmerrin e tërmetit. Ai i fundit, në vitin 1979, ishte harruar dhe futur te kronikat. Gjithsesi, njerëzit që e jetuan, u trandën aq shumë sa u kujtoi se me natyrën nuk kishte të bënte as vrulli revolucionar dhe as frymëzimi i partisë për të kaluar vështirësitë. Gati 100 kilometra më tej, Shkodra ishte gjunjëzuar, kurse pleqtë me sytë nga qielli mbase ia kishin bërë me sy: shumë u vonove por nuk harrove! I pari kryeministri i vendit, Mehmet Shehu, do të shkonte në terren për të parë dëmet dhe për të premtuar ndihmën, kurse pak muaj më vonë, Enver Hoxha do të inauguronte ndryshimet, që për hir të vërtetës u bënë në kohë rekord.
Por, tërmeti i pak orëve më parë që ndodhi në Tiranë me epiqendër në Detin Adriatik do të ishte ndryshe. Të dy qytetet janë populluar me ndërtime shumëkatëshe dhe me kulla të frikshme, shumë syresh shpesh të përfolura për problematika. Dhe, tërmeti ishte një provim…
…
Pak kthim në histori do të na bënte të kujtohemi se jo vetëm duhet të kemi frikë por duhet të na futen dridhmat nga ky fenomen i frikshëm. Në kohët e reja, ose më saktë duke filluar nga shekulli i VI-të, tërmetet do bënin shkatërrime të frikshme. Historiani Pachymeris do të referonte për tërmetin e Marsit të vitit 1273, ku qyteti i Durrësit u shkatërrua plotësisht, ndërsa vetëm akropoli mbeti pa u dëmtuar, kurse qyteti u zbras nga frika dhe banorët iu drejtuan brenda-tokës për të mos u kthyer më pas. Tërmetet nuk do të reshtnin dhe durrsakët do ta ndjenin shpesh në kurriz egërsinë e tij, kurse dëmet brëzat do t’ia përcillnin në kujtesë njëri-tjetrit në shekuj.
Kohët e reja do të kishin disa tërmete syresh, por ai i vitit 1967 do të ishte shkatërrues dhe Shqipëria e socializmit me malin e problemeve do të gjendej edhe para një situate shumë të rëndë.
Sipas një teorie që sizmologët e referojnë dhe e përcollën dhe pak kohë më parë edhe në median tonë, me një frekuencë përsëritje një herë në 50 vjet, tërmetet me magnitudë 6 kanë probabilitet 75% që të ndodhin. Mbase kjo ishte arsyeja që presidenti i vendit në kulmin e ngjarjeve politike dhe kaosit do të parashikonte një të tillë, që edhe sot e kësaj dite shqiptarët e marrin me të qeshur. Përveç taktit, ai moment duhej vlerësuar realisht…
…
Ndoshta në mirëditje për këtë situatë, një inxhiniere e vjetër e specializuar me dekada për themelet, Luljeta Bozo, do t’i rrëfente pak kohë më parë autorit se sfida më e madhe e Inxhinierisë së Ndërtimit është një provim i madh me natyrën. Pak në metaforë, pedagogia e kushedi sesa brezave të inxhinierisë do të sqaronte se tërmeti është pedagogu i madh natyror që do të na marrë në provim, çfarë do të thoshte se: ajo që ishte bërë në tranzicion do matej vërtetë po të kalonte provimin e madh të tërmetit, që një ditë do të binte pa asnjë dyshim. “Le të jetë me sa më pak dëme”, e përfundoi inxhinierja, duke na treguar të gjithë kaosin e kolegëve të saj por edhe e shumë spekulantëve të ndërtimit që thjesht për të marrë një pagesë kishin ndërtuar objekte pa kushtet minimale të mbrojtjes nga fatkeqësi të tilla.
Tërmeti i fundit, pavarësisht se ende nuk janë mbledhur dëmet, tregoi se Shqipëria ishte përballë një armiku që kurrë se ka falur, por edhe që shpesh na vigjilon në ato vogëlsirat tona, kur mundohemi ose besojmë se “ia hedhim”. Dhe, të mendosh se kur përpiqesh t’ia hedhësh në gjëra “kaq të vogla”, llogarit sesa i përgjegjshëm është shpesh njeriu shqiptar për habitatin e vet. Jo më kot, shpesh Shqiptari kujton se mund t’ja hedhë dhe vetë natyrës. Po, se është më i zoti se edhe asaj vetë. “Homo Albanicus”