“Tetori i Kuq”. Por edhe “Tetori Gjerman”. Kështu jemi mësuar ta dëgjojmë shpesh të cilësohet muajin që prej më shumë se një shekulli trumbetoi të famshmin “Revolucioni bolshevik”. Dhe prej tre dekadash “revolucionin” që rrëzoi ndarësen simbolike mes Lindjes dhe Perëndimit: Murin e Berlinit. Duke e kthyer kësisoj tetorin në një momentum të lavdishëm për historinë e qytetërimit modern si të tillë, e me një ndikim absolut në rrjedhën e tij…
Ishte pikërisht revolucioni i vitit 1917 në Rusi, ai që i dha fund regjimit carist dhe krijoi një rend të ri ekonomik dhe social. Më tepër se me mënyrën si u zhvillua, ai e arriti këtë përmes produktit që arriti të krijonte: Komunistizimin e një sfere të tërë të globit, duke e ndarë atë në zona të ndryshme influencash. Një eksperiment ky krejtësisht i ri që u shoqërua me pasoja eventuale për ekonominë dhe rendin e tij në tërësi.
Gjë e cila dukej se do të përsëritej para tridhjetë vitesh, ndërsa Gjermania e cila ishte ndarë në dy zona, ku njëra prej tyre komuniste, do të tronditej nga një tjetër revolucion: Ai i rënies së murit të Berlinit. Pasuar nga ribashkimi i tyre më 3 Tetor të vitit 1990, e cila është padyshim një nga ngjarjet historike më të mëdha të shekullit që kaloi. Si e tillë, ajo ishte dhe mbetet tepër e rëndësishme jo vetëm për Gjermaninë, por për mbarë Europën dhe më gjerë, për gjeneratat e tanishme dhe ato që do të vijnë. Kjo pasi jo vetëm arriti që të bashkonte de jure një popull të ndarë në dy shtete pas Luftës së Dyte Botërore, porse shënoi edhe kalimin nga një epokë historike në një tjetër. Njësoj si me rastin e Tetorit të Kuq… Prandaj sa herë troket ky muaj, të gjithë e sjellim ndërmend si tetori rus, apo gjerman.
Porse ky i sivjetshmi duket se do të jetë më shumë shqiptar. E kjo, pasi Shqipëria gjendet në një pikë kyçe të procesit të saj të integrimit, ndërsa plot dy javë më pas pret që t’i çelen negociatat me Bashkimin Evropian. Nëse kjo do të ndodhë, me siguri që ka për të shënuar një kthesë të fortë në zhvillimet e mëpasme politike, sociale dhe ekonomike të saj. Ngjashëm me atë që u shënua nga dy revolucionet e lartpërmendura, pasi do ta mbarsin atë me një frymë të re progresi që patjetër do të ketë nevojë për koherenca të reja ndërveprimesh, të brendshme dhe të jashtme.
Shqipëria e pas 18 tetorit, me siguri që nuk do të jetë ajo e tanishmja nëse ajo do të marrë një “Po” nga Bashkimi Evropian për të çelur negociatat e anëtarësimit me të drejta të plota brenda tij. Dhe prandaj do të gëzojë të drejtën që ta përkujtojë këtë datë sa herë që ajo të mbërrijë si një datë historike.
Nëse kjo nuk do të ndodhë?! Urojmë të mos gjendemi edhe tetorin e ardhshëm në këtë situatë, me një shtyrje të re të procesit. Pasi nuk na mbetet gjë tjetër veçse tetorin ta kujtojmë për revolucionet e të tjerëve dhe aspak për atë tonin, i cili nuk ndodhi kurrë… /St. No
argumentum.al
©Argumentum