Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të martën se nuk do të ulet në tryezën e bisedimeve në Bruksel derisa nuk ndodhë liberalizimi i vizave për Kosovën dhe kritikoi Bashkimin Evropian për premtime “boshe”.
Ai i bëri këto komente pas takimit me këshilltarët e kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emmanuel Macron, Jan Hecker dhe Emmanuel Bonne, të cilët të martën u takuan edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Presidenti Thaçi tha se Kosova duhet të prodhojë gjithmonë argumente pozitive për partnerët dhe miqtë, por sipas tij është shumë me rëndësi që edhe ndërkombëtarët që vijnë në Kosovë të jenë të qartë.
“Unë sot nuk pashë qartësi të them të drejtën për asnjë çështje, me përjashtim të hulumtimit të opinionit dhe proceseve si me lëvizë përpara por nuk pashë pozicion të qartë për asnjë çështje që është ngritur së diskutuari”, tha ai.
“Për derisa, flas në emër tim si president i vendit, do të flas me gjithë spektrin politik që derisa nuk ndodh liberalizimi i vizave nga Bashkimi Evropian së paku si president i vendit nuk ulem në tavolinën në Bruksel, sepse nuk e meriton këtë kredi t’i jap Kosova Brukselit sa i përket kësaj çështjeje. Ne i meritojmë vizat pastaj shohim për hapat tjerë. Nga ajo që shoh nuk ka kapacitete në Bruksel, nuk ka unitet dhe nuk ka qëndrim si të lëvizet përpara. E para është liberalizimi i vizave dhe kjo është jetike, të tjerat janë çështje dytësore sa i përket Kosovës me BE-në dhe me Serbinë”, tha ai, duke ritheksuar qëndrimin e tij se rolin udhëheqës në procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, duhet ta kenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Që nga nëntori i vitit 2018, kur Kosova vendosi tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe Beogradi pezulloi pjesëmarrjen në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.