Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u takuan të hënën në Shtëpinë e Bardhë me ndërmjetësimin e ambasadorit Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Trump për bisedimet Kosovë Serbi dhe këshilltarit për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien.
Presidenti Thaçi shkroi në facebook se “Kosova është e bekuar me mbështetjen e Amerikës dhe Presidentit Trump. Tani jam rrugës për në Kosovë. Pres që menjëherë, të mërkurën apo të enjten, të më mundësohet raportimi në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për t’i njoftuar deputetët dhe qytetarët e Kosovës për takimet në Uashington dhe më specifikisht për takimin e sotëm. Duke qëndruar të bashkuara institucionet, partitë politike dhe qytetarët, Kosova do të jetë edhe më e fortë. SHBA është shpresa dhe besimi ynë. Jemi mirënjohës përjetë!”, shkroi ai.
Në një bisedë të shkurtër me Zërin e Amerikës, presidenti Thaçi tha se takimi u mbajt “duke dëshmuar vullnetin e mirë, pa ndonjë të veçantë nga takimi, vullnetin dhe simbolikën e fqinjësisë së mirë dhe domosdoshmërinë e arritjes së një marrëveshje përfundimtare që nënkupton paqen dhe stabilitetin për Kosovën, Serbinë por edhe tërë Ballkanin Perëndimor. Është jashtëzakonisht inkurajues roli udhëheqës që po dëshmon ambasadori Grenell dhe lidershipi i presidenti Trump në këtë drejtim”.
Presidenti Thaçi tha se takimi e ka mesazhin e veçantë sepse Shtetet e Bashkuara “po rikthehen në pozicionin që e ka pasur atë të përcaktimit të agjendave paqësore dhe të perspektivës euro – atlantike për tërë Ballkanin Perëndimor”.
Ai tha se rëndësia e takimit të sontëm është e pakrahasueshme me të gjitha takimet që kanë ndodhur kudo në botë mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, për vet faktin se është zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë dhe me ndërmjetësimin amerikan.
Të dy presidentët ndodheshin në Shtetet e Bashkuara në vizita të ndara gjatë të cilave zyrtarët amerikanë kanë kërkuar që të dyja palët të ndërmarrin verime që sigurojnë rifillimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
Zyrtarët amerikanë po i kërkojnë Kosovës që të heqë tarifat e vendosura në nëntor të vitit 2018 ndaj mallrave serbe, ndërsa Beogradit i kanë kërkuar t’i jap fund fushatës për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.
Presidenti Thaçi tha se Kosova duhet të krijojë rrethana lehtësuese për komunitetin ndërkombëtar dhe për vetveten dhe shfaqi besimin se institucionet e Kosovës do të marrin vendime të përgjegjshme.
“Kokëfortësia e çon Kosovën vetëm prapa dhe e stagnon zhvillimin e Kosovës, ndërsa vendimet e mençura, kohezive e të koordinuara me Shtetet e Bashkuara janë ato që e çojmë vendin përpara”.
Brenda më pak se një muaji Shtetet e Bashkuara siguruan dy marrëveshje ndërmjet palëve për vendosjen e linjës ajrore, asaj hekurudhore dhe ndërtimin e autostradave ndërmjet të dyja vendeve./voa