Në fillim të luftës, Vladimir Putin shpresonte që të pushtonte Ukrainën brenda 10 ditëve. 9 muaj më vonë, ai po përballet me një situatë shumë serioze, teksa po bën përpjekjet për të mbajtur nën kontroll një pjesë të territorit që arriti të pushtonte.
Aktualisht situata është në favor të Ukrainës pas dy kundërsulmeve duke rimarrë kontrollin në Kharkiv dhe në verilindje të Khersonit. Për Ukrainën, këto fitore erdhën me pasoja minimale në jetë njerëzish.
Kjo qasje bie në sy në opinionin publik ukrainas, por jo domosdoshmërisht me mbështetësit perëndimorë. Ata kanë frikë se një operacion për të rimarrë Krimenë, ose Donbasin mund ta çojë në përshkallëzimin e luftës, ndoshta duke detyruar edhe Putinin që të përdorë armë bërthamore..
Komandantët ukrainas tregohen tepër të kujdesshëm për lëvizjet e tyre të ardhshme. “Nëse do t’i publikonim planet tona në mediat sociale dhe në televizion , nuk do të arrinim asgjë,” thotë Mykhailo Zabrodsky, një ish-komandant i forcave të sulmit ajror të Ukrainës.
Gjenerallejtënant këmbëngul se një operacion për të rikthyer Krimenë nuk është vetëm i mundur, por ishte diçka që po përgatitej për vitin 2023. Kur mund të fillonte saktësisht një operacion është një pyetje tjetër: ka shumë beteja për të fituar së pari. Por historia tregon, thotë ai, se një forcë okupuese “e ka gjithmonë të vështirë të mbajë Krimenë”.
Burime brenda forcave të armatosura thonë se “asgjë” nuk është jashtë planeve, përfshirë operacionet kundër territorit të pushtuar nga Rusia para 24 shkurtit. Rrugët që të çojnë në Krime janë tani brenda rrezes së fuqisë së zjarrit ukrainas, duke përfshirë sistemet raketore HIMARS që kanë penguar në mënyrë dramatike logjistikën ruse që kur u përdorën për herë të parë në verë.
Autoritetet e emëruara nga Rusia në Krime po përgatiten për një sulm tokësor, duke urdhëruar ndërtimin e fortifikimeve dhe llogoreve të reja dhe duke shpallur nivele emergjente kërcënimi në disa pjesë të gadishullit. Vendasit në Dzhankoy raportojnë se llogore po ndërtohen pranë një baze ajrore që ishte shënjestruar në gusht.
Por Ukraina duket se po përgatitet të përqendrojë fuqinë e saj diku tjetër. Prerja e urës tokësore të Putinit, territori i pushtuar që lidh Rusinë kontinentale me Krimenë, mbetet prioritet. Planifikuesit ushtarakë rusë e kuptojnë gjithashtu këtë, dhe kanë hartuar dhe drejtuar linjat mbrojtëse në përputhje me rrethanat.
Një burim në inteligjencën ushtarake është i bindur se avantazhet strukturore të Ukrainës, kryesisht aftësia e saj për të organizuar sulme shumë të lëvizshme dhe për të thyer linjat e furnizimit, do të mbizotërojnë. “Ne kemi treguar në çdo fazë se taktikat tona dhe fokusi në logjistikë janë të sakta. Do ta tregojmë sërish”, thotë burimi.
Betejat e shumta për Krimenë gjatë shekujve u kanë ardhur në ndihmë gjeneralëve ukrainas që merren me planifikimet e kundërsulmeve. Aneksimi rus kryesisht pa gjakderdhje në vitin 2014, gjatë të cilit humbën jetën vetëm dy ushtarë ukrainas, nuk është një shembull tipik. Operacionet ushtarake në Krime zakonisht përfundojnë me mijëra të vdekur: vetëm në shekullin e kaluar qindra mijëra kanë rënë në portat e saj, kryesisht në luftën civile ruse dhe në luftën e dytë botërore, për të mos thënë asgjë për viktimat e mëdha gjatë luftës së Krimesë në vitin 1850.
Ekspertët ushtarakë me njohuri të terrenit të gadishullit thanë se topografia duhet t’i japë Ukrainës kohë për të menduar. Admirali Mykola Zhibarev, i cili në vitin 1992 provokoi shpërbërjen e flotës ruse të Detit të Zi duke deklaruar se fregata e tij ishte ukrainase, tani thotë se diplomacia është rruga më premtuese për të rifituar territorin e kontestuar.
Andrii Ryzhenko, një kapiten i marinës në pension, i lindur në Krime, thotë se një operacion i suksesshëm do të kërkonte shumë gjëra për t’u realizuar siç duhet. “Ekziston një perspektivë reale që gjërat të përfundojnë në një gjakderdhje”
Gjeneral-lejtnant Zabrodsky këmbëngul se planifikuesit ushtarakë të Ukrainës kanë hartuar taktika që mund të funksionojnë. Ukraina nuk ka ndërmend të hyjë në një sulm frontal të pakuptimtë ndaj Krimesë, thotë ai.
Ekzistojnë mundësi të tjera “interesante” me manovra të kombinuara duke përdorur trupa tokësore, detare dhe sulme ajrore. Dominimi detar dhe ajror rus mund të pengohet me “mashtrime asimetrike”. Sulmet e dronëve ukrainas në flotën e Detit të Zi në fund të tetorit, duke dëmtuar anijen Admiral Makarov , dhe shkatërrimi i një pjese të urës së Kerçit ishin shembuj të taktikave ukrainase.
Mbështetësit perëndimorë të Ukrainës nuk kanë folur publikisht për ambiciet ushtarake të Ukrainës. Ukraina gjithashtu këmbëngul se nuk i ka mbajtur planifikuesit ushtarakë as privatisht. Por boshllëqet duket se po hapen në retorikë. Ushtari më i lartë i Amerikës, gjenerali Mark Milley, i cili është në anën më të kujdesshme të opinionit qeveritar në atë vend, tha më 16 nëntor se një fitore e Ukrainës në Krime nuk ka gjasa të “ndodhte së shpejti”.
Udhëheqësit politikë në Kiev pranojnë se rimarrja e Donbasit dhe Krimesë është më e ndërlikuar sesa ajo që propagandohet në publik. Ata pranojnë se një pjesë e madhe e popullsisë atje mbetet armiqësore ndaj Kievit. Operacionet në Kharkiv dhe Kherson, për shembull, u ndihmuan nga një rrjet informatorësh dashamirës.
E kundërta do të jetë rasti në zonat e Donbasit të mbajtura nga Rusia që nga viti 2014, dhe nga ku shumica e “dashamirësve” të Kievit kanë ikur ose janë përzënë. Një operacion për të rimarrë Krimenë ndoshta do të haste në rezistencë partizane nga pro-rusët.