Revista e njohur ‘The Economist’ mblodhi të martën në Shkup zyrtarë, ish-zyrarë qeveritarë, jo vetëm nga rajoni i Ballkanit dhe ekspertë të çështjeve të ndryshme për të diskutuar mbi zhvillimet aktuale dhe synimet integruese drejt strukturave euro-atlantike të shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Marrëveshja e Prespës e arritur verën e vitit të kaluar në mes qeverive të Shkupit dhe Athinës ishte në qendër të vemendjes së konferencës dhe ajo u cilësua si një shembull për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis vendeve të tjera.
Ish-Kryeministri grek Alexis Tsipras, i cili tash është drejtues i opozitës greke, u shpreh se “Athina dhe Shkupi u liruan nga prangat” me arritjen e marrëveshjes së Ohrit.
Ish ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Wess Mitchell foli për ndikimin rus dhe kinez në rajonin e Ballkanit duke paralajmëruar rrezikun nga, siç u shpreh: “perandoritë e shekullit të kaluar”. Ai tha se të ardhmen që Rusia dhe Kina ia ofrojnë rajonit është ajo e varshmërisë dhe eksploatimit, ndërsa shtoi se realiteti në Ballkan është i tillë që disa pjesë të tij po largohen nga Perëndimi. Ish zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit nënvizoi nevojën e angazhimit më të madh të SHBA-së dhe BE-së në këtë rajon.
Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev tha se vendi i tij nuk ka alternativë tjetër përpos asaj të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, por edhe se “Maqedonia e Veriut duhet ta shtojë bashkëpunimin me të gjithë botën për mirëqenien e vetë qyetarëve të vendit”.
Ai e vuri theksin tek domosdoshërmia e investimeve në infrastrukturën e Maqedonisë së Veriut, ndërkohë që Marrëveshjen e Prespës e quajti një nga “lajmet më të mira” që mund t’i ndodhnin rajonit.
Në konferencë folën edhe politikani gjerman Martin Shulz, ish president i Parlamentit Evropian, një nga nën-presidentët aktual të Parlamentit Evropian, Dimitrios Papadimoulis dhe zyrtarë e ekspertë të tjerë.