Presidenti i vendit Ilir Meta ka kthyer mbrapsht në Kuvend, një tjetër ligj të miratuar nga shumica qeverisëse, atë të Vetingut në Polici.
Në argumentet e tij ligjore, Meta thekson se ky ligj duhet të rikthehet edhe njëherë në Parlament, pasi ndryshimet që pësoi nisma ligjore lënë të kuptohet se qeveria po tentonë të kontrollojë këtë proces me anë të një strukture në varësi të saj.
Procesi i vetingut në Polici sipas versionit të ri të miratuar nga mazhoranca do të kryhet nga struktura e Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave.
Sipas Metes, ligji është kaluar me procedure të përshpejtuar dhe ka një sërë problemesh, Në arsyetimin që ai i bën mosdekretimit te ketij ligji, Meta thekson se me të “cenohen standardet e vendosura dhe pavarësinë e procesit të vlerësimit kalimtar”, si dhe “krijon terren që ky proces të ketë ndikim politik”.
Ja konkluzioni i dekretit:
“Të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë,
Nisur nga problematikat e sipërpërmendura, në krahasim me sfidat e vendit tonë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian që kërkojnë domosdoshmërisht forcimin e institucioneve të Policisë së Shtetit dhe të Gardës së Republikës me punonjës profesionistë dhe me integritet, të aftë për të përmbushur detyrat për një luftë sa më efikase kundër terrorizmit, krimit të organizuar, korrupsionit dhe përmirësimit të standardeve të rendit e të sigurisë, në cilësinë e Presidenti të Republikës, vlerësoj se kostot financiare të parashikuara për realizimin e procesit të vlerësimit kalimtar në këto struktura, janë të domosdoshme dhe duhet të përballohen nga qeveria për përmbushjen e qëllimit të ligjit nr. 12/2018, dhe pa ndryshuar mekanizmin e realizimit të tij siç pretendohet të realizohet me ligjin nr. 20/2019, por duke i mbështetur realisht këto struktura.
Zbatimi i ligjit nr. 12/2018, është jetik dhe i domosdoshëm për vijimin e rrugës së nisur nën frymën dhe qëllimin e reformës në drejtësi. Si President i Republikës, vlerësoj se këto qëllime mund të realizohen nëpërmjet organeve vlerësuese të pavarura, të paanshme dhe efektive dhe që aktualisht parashikohen nga ligji në fuqi që pretendohet të ndryshohet.
Për arsyet e parashtruara më sipër, në bindje të Kushtetutës dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të saj, kam vendosur kthimin e ligjit nr. 20/2019, “Për disa ndryshime në ligjin 12/2018 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme””, me qëllim që Kuvendi i Shqipërisë ta marrë edhe një herë në shqyrtim këtë çështje me rëndësi të lartë publike”.