Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Republikës së Sllovenisë, Tanja Fajon deklaroi sot se “Sllovenia në veri dhe Shqipëria në jug të rajonit janë aleate të ngushta me njëra tjetrën”.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, Fajon tha se “Shqipëria dhe Sllovenia kanë pasur gjatë gjithë kohës marrëdhënie shumë të mira dhe ne kemi një interes akoma edhe më të fortë për të vazhduar më tej bashkëpunimin tonë në fusha të ndryshme, në fushën ekonomike, e cila mund të themi se është është fusha më e rëndësishme në bashkëpunimin tonë”.
Fajon theksoi se “zhvilluam bisedime së bashku patëm një takim të frytshëm së bashku në lidhje me aspektet pozitive në bashkëpunimet tona”.
“Jam shumë e e bindur edhe unë që do të kemi bashkëpunime të mëtejshme në fushën e ekonomisë dhe shpreh mirënjohjen dhe gatishmërinë për të nënshkruar së bashku memorandume dhe protokolle të ardhshme. Memorandumi i mirëkuptimit për turizmin është një dokument mjaft i rëndësishëm dhe do të nxisë më tej bashkëpunimin në këtë fushë kaq të rëndësishme”, nënvizoi Fajon.
Fajon u shpreh se “padyshim na duhet të krijojmë lidhje të tjera ajrore në të ardhmen dhe të gjitha këto përbëjnë një hap të rëndësishëm dhe pozitiv”.
Më tej Fajon bëri të ditur se në Durrës vitin e ardhshëm Sllovenia do të ketë konsullatën e saj .
“Mendoj se në këtë mënyrë do t’u ofrojmë të gjithëve mundësi të tjera. Bashkëpunimi ynë është fokusuar në fusha të ndryshme, Sllovenia është pjesë e mjaft projekteve zhvillimore në Shqipëri. Kemi ofruar asistencë në fushën teknike në kontekstin e integrimit në BE. Shqipëria ka marrë 1.3 milionë euro gjatë 5 viteve të fundit dhe jam e kënaqur që sot do të kem mundësi të vizitoj qendrën e teknologjisë dhe laboratorët e posaçëm që janë krijuar”, tha Fajon.
Fajon theksoi se “kam kënaqësinë të them se oficerët tanë punojnë në mjaft fusha të rëndësishme që lidhen me sigurinë e autoriteteve dhe deri tani kanë zhvilluar mjaft operacione të rëndësishme në kufirin me Greqinë dhe patjetër zhvillime dhe bisedime të mëtejshme do të kemi në këtë fushë gjithashtu”.
Më tej Fajon tha se “Sllovenia është një mbështetëse e gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe dëshiron ta shikojë Shqipërinë si një anëtare të Bashkimit Europian. Sllovenia është një përkrahëse e negociatave dhe gjithmonë ka shprehur miratimin dhe vlerësimin e saj për të gjitha arritjet e deritanishme në zbatimin e të gjitha kritereve”.
“Mesazhi im sot është që unë shpresoj që Shqipëria të hapë grupin e parë sa më shpejt të jetë e mundur dhe në shtator do të kemi një përgjigje pozitive ne lidhje për parafinancimin e të gjitha reformave që janë të nevojshme”, shtoi ajo.
Fajon e siguroi ministrin Hasani se Sllovenia do të jetë një mbështetëse e sigurt dhe e bindur për integrimin e Shqipërisë në BE.
“Është një nevojë strategjike për të pasur vendin tuaj në rajon dhe Sllovenia gjithmonë do të mbështesë Shqipërinë dhe vendet e tjera dhe shpresoj vërtet që BE të jetë po kaq gati për t’ju pritur maksimumi në vitin 2030”, tha Fajon.
Fajon theksoi se “shpreh mbështetjen për kolegjin e Evropës në Tiranë dhe në sezonin e parë do të kemi bursa të akorduara në këtë drejtim dhe besoj se kjo do të jetë një mundësi shumë e mirë për të gjithë studentët për të qenë pjesë e programeve të ndryshme të shkëmbimit”.
Në takim Fajon dhe Hasani prekën çështjet e agresionit rus, konfliktet në rajon, në Gaza.
“Sllovenia po bën ç’është e mundur në kuadrin e marrjes së kryesimit të Presidencës në shtator do të bëjmë ç’është e mundur dhe do të punojmë për paqe dhe siguri”, tha Fajon.