Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja publikoi online pamjet e Tirana Training Center, qendra e trajnimit që do të formojë brezin e ri të kineastëve shqiptarë.
Kjo qendër trajnimi do të mund të trajnojë deri në 400 studentë njëkohësisht duke bërë të mundur lidhjen e industrisë sonë me gjigantët e industrisë kinematografike botërore si HBO, Netflix, Warner Bros, Paramount, Disney dhe shumë të tjerë. Këto bashkëpunime do të arrihen nëpërmjet Catalyst Story Institute.
Një ditë më parë drejtori ekzekutiv i Catalyst, Philip Gilpin u shpreh se të trajnuarit do të mësojnë shprehi pune, do të mësojnë të punojnë në grup duke qenë se televizioni dhe kinemaja nuk janë arte individuale dhe se e gjithë kjo qendër trajnimi do të jetë si një shtëpi për ta.
Aktualisht, sipas Gilpin, 40 profesionistë të mirënjohur nga e gjithë bota kanë rënë dakord të vijnë në Tirana Training Center. Trajnimet do të mbulojnë fusha si aktrimi, regjia, animacioni, prodhimi, shkrimi i skenarëve dhe më shumë.
“Shqipëria, gati të bëhet një pikë kyçe në hartën globale të kinematografisë”, u shpreh ministri Gonxhja.