Për njerëzit që nuk dëshiron t’i pranojë Italia, BE duhet të gjejë vende diku tjetër. Mangësitë në rregullat e migracionit po bëhen shumë të qarta, mendon Bernd Riegert.
Qeveria e re e ekstremit të djathtë në Itali po bën pikërisht atë që premtoi në fushatën zgjedhore. Zbarkimi i emigrantëve të shpëtuar nga fatkeqësia në det po bëhet i vështirë dhe në disa raste i pamundur. Kryeministrja Giorgia Meloni fantazoi madje për një bllokadë detare.
Po përjetojmë të njëjtën dramë të tmershme si në vitin 2018, kur ministri i Brendshëm i atëhershëm Matteo Salvini, sot ministër i Transportit, bllokoi portet duke kritikuar në mënyrë dashakeqe politikën e BE-së për migracionin. Ashtu si atëhere shtetet e tjera të BE reagojnë duke bërë se nuk shohin, apo duke bërë premtime ngushëlluese dhe boshe për solidaritet apo zgjidhje evropiane.
Që nga viti 2015 politika e BE-së për migracionin ka synuar kryesisht të pengojë hyrjen e azilkërkuesve të mundshëm në kufijtë detarë dhe tokësorë duke i trembur dhe duke ua mbyllur dyert, kjo jo vetëm nën presionin e qeverive të djathta. Për shpërndarjen e atyre njerëzve, që arrijnë të hyjnë në BE dhe mund të bëjnë kërkesë për azil, nuk ka ende një koncept vendimtar. Vitin e kaluar ishin 540 000 njerëz. Tendenca është në rritje. Përpjekjet e shumta të Komisionit të BE për të krijuar një sistem të detyrueshëm kanë dështuar. Marrëveshja vullnetare, që disa vende të mëdha të BE arritën në qershor të këtij viti për të marrë përsipër kontigjente më të vogla, dështoi të enjten. Franca u largua nga marrëveshja, sepse Italia nuk po i përmbush më detyrimet për të marrë njerëz nga varkat e dëmtuara në det.
Nuk ka mbingarkesë në Itali krahasuar me shtetet e tjera
Kështu në teori mbetet, që vendet ku hyjnë së pari, pra Italia, Greqia, Spanja, Kroacia, Polonia, Hungaria, Malta dhe Qiproja, të jenë përgjegjëse për procedurat e azilit dhe vendosjen e migrantëve. Por kjo rregullore, që mban emrin e Dublinit, nuk funksionon në praktikë prej një kohe të gjatë dhe në fakt nuk ka funksionuar kurrë. Sepse statistikat e autoriteteve të BE tregojnë se për shembull nga 80 000 persona, që do të arrijnë në Itali përmes Mesdheut në këto vite, vetëm pak më shumë se gjysma kërkojnë azil në Itali. Të tjerët ose kalojnë në ilegalitet në Itali, ose lëvizin më në veri duke u toleruar nga autoritetet italiane.
I njëjti model mund të vërehet edhe në Greqi, në rrugën ballkanike dhe në Spanjë. Vetëm kështu mund të shpjegohet, që shumica e kërkesave për azil në BE bëhen në Gjermani. Por Gjermania ashtu si Austria fqinje nuk ka se si të jetë vendi i parë i hyrjes për shkak të vendndodhjes së saj gjeografike. Prandaj shtetet përpiqen t’i kthejnë migrantët në vendin e hyrjes së parë sipas rregullave të Dublinit. Por kjo funksionon vetëm në një numër të vogël rastesh.
Kërkohet dëshpërimisht një politikë e përbashkët migracioni
Qeveria italiane nuk ka arsye të ankohet për mbingarkim dhe në këtë mënyrë të përmbushë premtimet e saj populiste. Një vështrim mbi shifrat tregon se vende të tjera në BE pranojnë dukshëm më shumë azilkërkues sesa Italia. Në terma absolutë Gjermania, Franca dhe Spanja janë përpara Italisë. Llogaritur për frymë të popullsisë vendase, Qiproja, Sllovenia dhe Austria kanë regjistruar më shumë kërkesa për azil, jo Italia. Refuzimi apo përgatitja e ngadaltë e anijeve të shpëtimit në portet italiane, përveç vështirësive për njerëzit e prekur, prodhon imazhe të këqija, që janë të shkëlqyera për të bërë politikë. Ashtu si katër vjet më parë.
Por e vërteta është se shumica e njerëzve nuk arrijnë në Itali, pasi janë shpëtuar në det, por me anije që drejtohen nga kontrabandistët deri në plazhet e Sicilisë apo Kalabrisë. Turpi i vërtetë i politikës së migracionit është se ajo nuk ka arritur të bëjë të panevojshme arratinë e rrezikshme nëpër det. Të gjitha përpjekjet për të ngritur kampe në Libi, për të ndërtuar qendra zbarkimi në BE, për të transferuar procedurat e azilit në Afrikën e Veriut, për të punuar së bashku me vendet e origjinës ose për të ndërprerë modelet e biznesit të kontrabandistëve deri tani kanë dështuar. Përkundrazi: shifrat përsëri po rriten.
Ministrat e Brendshëm të BE duhet të mblidhen urgjentisht për të diskutuar edhe një herë për shpërndarjen e azilkërkuesve. Deri atëherë do të vazhdojë bingoja johumane e refugjatëve, siç e quajnë zyrtarët e BE në Bruksel. Në një telekonferencë në Bruksel do të përpiqen të gjejnë vende për migrantët nga Italia në shtetet e BE, të gatshme për t`i pranuar. Përndryshe ato do të duhej të vazhdonin të qëndronin në anijet e shpëtimit. Kështu ka qenë në 2018 dhe 2019 dhe do të ndodhë përsëri tani. Një tragjedi./DW