Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Himarë të martën, ku një skaf i drejtuar nga efektivi i Policisë së Elbasanit A.T ka goditur një fëmijë dhe për pasojë e mitura ka humbur jetën. Ngjarja ka ndodhur në plazhin e Potamit.
“Sot, rreth orës 14:00, në plazhin e Potamit, shtetasi A. T., duke drejtuar një skaf ka humbur kontrollin e gomones dhe për pasojë ka përplasur një fëmijë 7-vjeçar, i cili për shkak të plagëve ka ndërruar jetë në vend në Potami. plazh”, tha policia.
Drejtuesi i skafit është shoqëruar në Komisariatin e Himarës dhe po kryhen procedurat për kapjen e tij.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, njofton policia.
Mësohet se fëmija ishte së bashku me prindërit e saj me pushime pasi kishin ardhur nga Anglia ku jetonin.
Ngjarja dhe reagimet
Drejtuesi i gomones, Arjan Tase ishte shef i Policimit në Komunitet në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan i cili gjithashtu ndodhej me pushime me familjen.
Nisur nga kjo ngjarje e rëndë, u përjashtua nga radhët e policisë autori Arjan Tase, me detyrë Shef Seksioni i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan.
Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka pezulluar nga detyra, deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, Drejtorin e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, Kryekomisar Shpëtim Hasanaliaj.
Qytetarët dhe politika shqiptare reagoi në lidhje me këtë ngjarje të rëndë, ku bregdeti shqiptar u kthye në skenë krimi horror.
Ilir Meta: “Mjaft me arrogancën dhe papërgjegjshmërinë në Policinë e Shtetit!
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar për ngjarjen e rëndë në Himare në një postim në Facebook duke i shprehur ngushëllime familjes së vogëlushes dhe ka kërkuar hetim të menjëhershëm dhe dënim për autorin.
“Jam thellësisht i tronditur nga ngjarja tragjike në plazhin e Himarës, ku oficeri i lartë i Policisë së Elbasanit, A.T, goditi për vdekje sot një vajzë të mitur 7-vjeçare, e cila kishte ardhur për pushime me familjen në Shqipëri. tha Meta, ish-president.
Ai dënoi me forcën më të madhe situatën katastrofike të sigurisë publike në plazhe, në pikun e sezonit turistik, fatkeqësisht me pasoja kaq tragjike të përsëritura.
Meta kërkoi hetim të thelluar të menjëhershëm dhe dënim të rëndë për shkeljen e ligjit nga drejtuesit e Policisë së Shtetit! “Mjaft me arrogancën dhe papërgjegjshmërinë në Policinë e Shtetit!” përfundoi ish-presidenti Ilir Meta.
Edi Rama: Fajtori të marrë ndëshkimin më ekstrem nga drejtësia
Kryeministri Edi Rama në një reagim për ngjarjen tragjike në Potam, ku një vajzë 7-vjeçare u godit nga një mjet lundrues i drejtuar nga një oficer policie, theksoi se “uroj që fajtori të marrë ndëshkimin më ekstrem nga drejtësia”.
Rama tha se “nuk mungoi as në këtë rast kafshëria politiko-mediatike e atyre që urojnë e presin veç fatkeqësi, për të ushqyer zjarrin e luftës së tyre politike të paudhë dhe të pashpresë”.
“Tragjedia e familjes së të miturës në Himarë është rrëqethëse dhe s’ka fjalë ngushëlluese për dhimbjen. Uroj që fajtori të marrë ndëshkimin më ekstrem nga drejtësia dhe drejtuesit e Policisë së Shtetit të nxjerrin mësimet e duhura e t’u japin mësimin e duhur trupave përgjegjëse”, u shpreh Rama në një postim në rrjetet sociale.
Sali Berisha: Krim i tmerrshëm! Siguria në plazhe ZERO
Kreu i PD Sali Berisha ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë ndodhur këtë të martë në plazhin e Potamit, ku u përplas për vdekje 7-vjeçarja nga një gomone, me drejtues Arjan Tasen.
Berisha denoncon mungesën e sigurisë në plazhe, ndërsa thekson se për ligjin nuk pyet njeri.
“Siguria në plazhe ZERO! Për ligjin nuk pyet njeri. Krim i tmerrshëm! Skafisti, shef policie në Elbasan, A. Tase merr jetën e një fëmije 7 vjeç në det, në Himarë. I shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes për engjëllin që humbi. Dënoj me forcën më të madhe këtë krim të tmerrshëm nga ata për të cilët ligji nuk ekziston. Dënoj gjithashtu mungsen e plotë të sigurisë në plazhet tona. “, shkruan Berisha.
Elisa Spiropali: E vrau papërgjegjshmëria.
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali reagoi sot për ngjarjen tragjike në Potam, ku një vajzë 7-vjeçare, u godit nga një mjet lundrues i drejtuar nga një oficer policie.
Spiropali shprehet se “të gjitha institucionet e sigurisë duhet të ngrihen në këmbë, që kjo ngjarje e rëndë të mos përsëritet kurrë dhe askund në bregdetin tonë”.
“Ngjarja tragjike e Potamit na ka tronditur dhe lënduar të gjithëve. Një vajzë shtatëvjeçare humbi jetën e përplasur barbarisht nga një gomone. Nesër ajo mund të ishte muzikante, shkrimtare, politikane, mjeke, apo edhe thjesht bijë e një nëne dhe prind fëmijësh. E vrau papërgjegjshmëria. E vrau dalldia. Ia preu në mes jetën krimi i dikujt që moskontrolli i vetes e shndërroi nga polic, në vrasës”, u shpreh Spiropali në një postim në rrjetet sociale.
/Argumentum.al