Një ngjarje tragjike është regjistruar në Pukë, ku nga djegia e shtëpisë kanë humbur jetën burrë e grua. Petrit dhe Dava Ndoj, respektivisht 40 dhe 35 vjeç po flinin në katin e dytë të banesës, në momentin kur shtëpia e tyre, në lagjen ‘Va Shënkoll’ të fshatit Breg, është përfshirë nga flakët rreth orës 02:00 të mengjesit të kësaj të hëne.
Ndërkohë 4 fëmijët dhe dy gjyshërit e tyre kanë mundur të shpëtojnë mrekullisht, të cilët janë hedhur nga dritarja për të shpëtuar, duke marrë vetëm dëmtime të lehta. Fëmija më i madh 12 vjeç, ka arritur të shpëtojë nga flakët gjyshen e e cila ishte e paralizuar dhe nuk mund të ecte dot.
Nga të dhënat e para mësohet se alarmin për zjarrin e ka dhënë i zoti shtëpisë Pal Gjoni 82-vjeç, i cili kishte dëgjuar zhurmën e tjegullave. Trupat e pajetë të çiftit të bashkëshortëve u gjetën pranë njëri-tjetrit teksa kishin tentuar të dilnin nga dhoma.
Forcat zjarrfikësve, pasi kanë neutralizuar flakët, u janë dashur rreth dy orë për gjetjen e trupave nën mbetjet e zjarrit. Deri me tani nuk dihen arsyet e rënies së zjarrit, teksa policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë intensivisht për zbardhjen e rrethanave.