Ka shkuar në 14 numri i viktimave të aksidentit që ndodhi mbrëmjen e të mërkurës në autostradën Shkup-Gostivar, në prani të fshatit Llaskarcë. Lajmi u konfirmua edhe nga kryeministri Zoran Zaev, i cili doli në një konferencë të jashtëzakonshme, ku njoftoi mes të tjerash se qeveria kishte vendosur të shpallë ditë zie datat 14 dhe 15 shkurt.
“Një natë e vështirë, nuk kam fjalë për të shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave. Bashkë ndajmë dhimbjen, shteti po vuan. I mobilizuam të gjitha forcat, sonte Qeveria solli vendim me të cili në 14 dhe 15 shkurti shpallen ditë zie. Ndërhyrja e të gjitha institucioneve ishte e shpejtë, por sonte për fat të keq jetën e kanë humbur 14 persona, 7 prej të cilëve në vendngjarje dhe 7 nëpër spitale, ndërsa 37 janë duke marrë trajtimin mjekësor”, tha Zaev.
Në aksidentin tragjik që ndodhi këtë të mërkurë në autostradën Shkup-Tetovë, zjarrëfikësit e Tetovës me mjetet e tyre fillimisht kanë bërë prerjen e profileve nga autobusi i rrokullisur me qëllim që të mundësojnë largimin pa pengesa të të lënduarve të cilët më pas me anë të ambulancave janë transferuar në qendrat klinike dhe spitalore të Shkupit. Ndër 40 të lënduarit 27 prej tyre janë nxjerrë të gjallë dhe të tjerë që kishin ndërruar jetë tha Uka Aliti komandanti i zjarrfikësve.
Sipas lajmeve jozyrtare autobusi që lëvizte nga Shkupi për në Gostivar, në afërsi të fshatit Llaskarcë të Shkupit ka dalë nga rruga pasi i ka plasur një prej gomave dhe ka përfunduar në kanal. Aksidenti i rëndë ka ndodhur rreth orës 17.00.
Nga Prokuroria Themelore Publike kanë informuar se për arsye të zbardhjes së rastit dhe arsyet e fatkeqësisë nga aksidenti që ndodhi në autostradën Shkup –Tetovë, prokurori publik ka kërkuar që vozitësit të autobusit ti merret urina dhe gjaku për kontrolle të mëtutjeshme, gjithashtu të bëhet kontrolli teknik i autobusit se në çfarë gjendje ka qenë para aksidentit. Nga Prokuroria kanë theksuar se gjatë natës vendi i aksidentit do të sigurohet, ndërsa ekspertiza dhe largimi i autobusit nga vendi i ngjarjes do të vazhdon gjatë ditës së sotme. Zëdhënësi i MPB-së Toni Angelovski ka informuar se ekipe të MPB-së dhe prokurori publik kanë qenë në vend ngjarje dhe ekspertiza do të vazhdojë.
Ngushellimet, solidarizohen kreret e shtetëve fqinjë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama përmes profilit të tij në Twitter ka shprehur ngushëllime drejt familjarëve të viktimave në aksidentin e rëndë që ka ndodhur në autostradën Shkup-Tetovë, me çrast 13 persona kanë humbur jetën, ndërsa dhjetëra të tjerë kanë mbetur të lënduar. “Pikëllim për tragjedinë e autobusit në vendin fqinj të Maqedonisë së Veriut, ku numri i viktimave e të plagosurve ka tronditur e shqetësuar aq shumë familje. U jemi pranë shpirtërisht të gjitha familjeve dhe të gjithë vendit mik”, shkruan Rama në Twitter.
Po ashtu Presidenti i Republikës Ilir Meta ka ngushëlluar familjet e viktimave të aksidentit tragjik në Maqedoni. Në një status në “Facebook”.“Thellësisht i prekur dhe i trishtuar nga lajmi tronditës i humbjes së jetëve në tragjedinë e autobusit në autostradën Shkup – Tetovë. Në këto momente të vështira jam shpirtërisht pranë familjeve të lënduara nga kjo tragjedi, të afërmve e miqve të viktimave dhe pranë të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut të prekur prej saj! Ngushëllimet e sinqerta dhe solidaritet vëllazëror! Urim të sinqertë për një shërim të shpejtë për të gjithë të plagosurit!”, shkruan Kreu i Shtetit.
Ish kryeministri Berisha: Nje aksident tragjik shokues! Ngushëllime për familjet e viktimave dhe autoriteteve të Maqedonisë së Veriut
Kryeministri Ramush Haradinaj ka nisur punën ditën e sotme me një minutë heshtje, në nderim të viktimave nga aksidenti i djeshëm në Maqedoni, në afërsi të fshatit Llaskarcë.“Ditën e sotme të punës e filluam me një minutë heshtje për jetët e humbura në aksidentin e djeshëm në autostradën Tetovë – Shkup”.