Transporti publik i Shqipërisë ka hyrë këtë vit në “Google Maps”, duke e bërë më të thjeshtë orientimin për të gjithë vizitorët dhe turistët e huaj që vijnë në vendin tonë.
Shqipëria turistike e këtyre viteve të fundit ka qenë një surprizë për të huajt, që me befasinë e zbulimit të një destinacioni me bukuri të shumta natyrore, ndeshen edhe me zhvillimin e infrastrukturës rrugore.
Duke nisur nga viti 2025 do të jetë më e thjeshtë për ata që zgjedhin të vizitojnë vendin tonë, sepse tashmë të dhënat për transportin publik ndërqytetas janë integruar në Google Maps, duke e bërë më të thjeshtë orientimin.
Kjo do të thotë se tashmë për të shkuar nga një qytet në një tjetër mjaft të kërkosh në “Google Maps” dhe itinerari gjenerohet automatikisht, në disa raste me më shumë se një opsion, në varësi të destinacionit ku doni të shkoni dhe rrugën që doni të zgjidhni.
Për shembull, nëse doni të shkoni nga Korça në Sarandë, keni dy mundësi, sipas asaj që gjeneron harta. Mundësia e parë është të kaloni nga Gjirokastra. Kështu në Korçë do të merrni autobusin GJ5 nga Terminali dhe do të mbërrini në Gjirokastër në një rrugëtim që zgjat tri orë. Aty më pas do të merrni autobusin GJ3 që do t’ju çojë drejt Sarandës në një rrugë që zgjat pak më shumë se një orë.
Një tjetër mundësi është nëse doni të kaloni nga Përmeti për të shkuar nga Korça në Sarandë. Nëse zgjidhni këtë mundësi atëherë do t’ju duhet të merrni tek terminali autobusin KO32 i cili shkon drejt Përmetit. Më pas nga Përmeti do të udhëtoni për në Gjirokastër me GJ19 për një orë e 10 minuta.
Në stacionin e Gjirokastrës mund të niseni drejt Sarandës me mjetet e transportit publikë përkatës. Mundësia e tretë është një linjë direkte që niset nga Korça në Sarandë me autobusin KO1 në një rrugë që zgjat 4 orë e 37 minuta.
E njëjta logjikë vlen edhe për destinacione të tjera. Për shembull, nëse marrim Tiranën dhe Durrësin, kush vjen nga qyteti bregdetar drejt kryeqytetit ka dy opsione. I pari është përmes autostradës Tiranë-Durrës, ku fillimisht nga stacioni në Durrës duhet të marrë autobusin DR6 dhe më pas të shkojë nga Terminali B drejt qendrës me autobusin urban të qytetit me linjën 4 nëse kërkon për shembull t’i drejtohet qendrës së kryeqytetit.
Nëse dikush kërkon një tjetër opsion për të ardhur nga Durrësi është edhe mundësia e kalimit nga Ndroqi ku nga stacioni i Plepave mund të marrë linjën TR65 që ndalon në Terminalin B dhe më pas të marrë të njëjtën linjë urbani si në rastin e mëparshëm.
“Të dhënat që aktualisht kryqëzohen në Google Maps për të marrë informacion kanë për burim disa operatorë që nga e-Transport, që është faqja zyrtare e transportit publik ndërqytetës në vend, Bashkia e Tiranës sa i takon transportit publik në kryeqytet, si dhe subjekte private që kanë platforma të dhënash mbi transportin”, shkruan “Monitor”.
E njëjta gjë vlen edhe për rrugën Tiranë-Korçë, ku në hartë saktësohet marrja e urbanit më të afërt për të mbërritur në qendër të kryeqytetit, ku më pas merr urbanin që të drejton tek “Terminali juglindor”, prej nga ku merr autobusin që të dërgon në Korçë, i cili niset çdo 60 minuta.
Shqipëria me rritjen e interesit si destinacion turistik e ka pasur të nevojshme koordinimin e transportit publik në Google Maps duke qenë se edhe mundësitë që ofron janë të kufizuara duke u ndalur vetëm tek autobusët, pasi linja hekurudhore funksionale ende mungojnë.