Tre kategori të tjera banesash ose shtëpish individuale parashikohet të përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit në kuadër të programit të Rindërtimit.
Bëhet fjalë për banesa të dëmtuara nga tërmeti në Tiranë, Durrës, Kavajë, Rrogozhinë, Kamzë, Vorë, Shijak, Krujë, Kurbin, Mirditë dhe Lezhë.
Vendimi i cili është publikuar në Fletoren Zyrtare të disa ndryshimeve në vendimin “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për përfitimet nga programi i granteve të rindërtimit dhe projektet model”.
Konkretisht në vendim parashikohet se përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit edhe individët ose familjet, shtëpitë individuale ose banesat e të cilëve kanë pësuar dëmtime thelbësore deri në të mëdha, që konsistojnë në çarje të moderuara në strukturë ose çarje të mëdha në mure ndarëse dhe mbushëse ose dëmtim i mureve ndarëse dhe perimetralë, siç përcaktohet nga aktekspertiza e thelluar.
Po ashtu përfitojnë edhe shtëpitë individuale ose banesat e të cilëve kanë pësuar dëmtime të lehta strukturore ose dëmtime të moderuara jostrukturore ose çarje në muret ndarëse dhe perimetralë, siç përcaktohet nga aktkonstatimi ose aktekspertiza e thelluar.
Një tjetër kategori janë shtëpitë individuale ose banesat e të cilëve nuk kanë dëmtim strukturor ose kanë dëmtim të papërfillshëm deri në të lehtë jostrukturor, si çarje
të lehta në mure ndarëse dhe perimetralë, siç përcaktohet nga aktkonstatimi ose aktekspertiza e thelluar.
Masa e vlerës së rikonstruksionit ose riparimit, mënyra e përdorimit dhe monitorimi,
sipas pikës 4, të këtij vendimi, përcaktohen me vendim të këshillit bashkiak të njësisë së
vetëqeverisjes vendore, e cila, në të gjitha rastet, nuk duhet të jetë më shumë se:
500 mijë lekë (a), 250 mijë lekë (b) dhe 100 mijë lekë (c).
Brenda 10 ditëve nga data e nënshkrimit të kontratës përkatëse të grantit, shuma e grantit të përfituar, sipas përcaktimeve të kësaj pike, i kalon përfituesit në një llogari bankare pranë një banke të nivelit të dytë.