Kombinati metalurgjik “Trepça” aktualisht po përballet me nivel të ulët të prodhimit, vështirësi të mëdha financiare dhe me mosmenaxhim të duhur, bëjnë të ditur përfaqësues të Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësues të punëtorëve të kësaj ndërmarrje.
Në mungesë të mjeteve, rreth 1300 minatorë të kombinatit metalurgjik “Trepça” ditë më parë kanë marrë vetëm 60 për qind të pagës.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Valdrin Lluka, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë ka bërë të ditur se “Trepça” vazhdon të ketë vështirësi financiare dhe se sipas tij, kjo vështirësi financiare është përkeqësuar më tepër gjatë grevës që ishte në dy javët e para të këtij viti.
“Në mungesë të punës dhe produktivitetit të nxjerrjes së mineraleve gjatë atyre dy javëve, është shkaktuar një mungesë e prodhimit në një vlerë prej rreth 400 mijë eurosh gjë që ka vështirësuar pjesën e pagesave, por sidoqoftë janë duke u shikuar mundësitë që të rritet produktivit. Është e vërtetë që minatorët janë paguar vetëm 60 për qind, por janë siguruar mjetet dhe do të paguhen deri nesër”, thotë Lluka.
Për pagesat e minatorëve, shton Lluka, është bërë një zgjidhje e shpejtë dhe se gjatë tërë vitit nuk do të kenë ndonjë problem në bërjen e pagesave, por sipas tij, sindikata e punëtorëve dhe menaxhmenti i “Trepçës” duhet të punojnë që t’i rrisin fondet.
Minatorë të kombinatit metalurgjik “Trepça” thonë se kjo ndërmarrje është duke kaluar në një fazë të vështirë financiare dhe me mosmenaxhim të duhur.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të “Trepçës”, Shyqyri Sadiku, njëherësh anëtar i Bordit mbikëqyrës të “Trepçës”, thotë për Radion Evropa e Lirë se duhet të merren masa konkrete për të përmirësuar gjendjen në këtë ndërmarrje.
“’Trepça’ është në një situatë që nuk ka mjete as për paga, është futur në borxhe. Keqmenaxhimi, korrupsioni dhe nepotizmi janë faktorët kryesorë që kanë sjell ‘Trepçën’ në këtë gjendje. Kjo është për keqardhje që sot ‘Trepça’ të mos ketë mjete që të paguajë mundin punëtorëve të cilët punojnë në minierë”, thekson Sadiku.
Ndërkohë, edhe Xhevdet Tahiri, ushtrues detyre i drejtorit menaxhues të ndërmarrjes “Trepça”, fajin për nivelin e ulët të prodhimit në minierën e “Trepçës” e hedh te minatorët.
“Nuk jemi në gjendje të mirë financiare për arsye se grevat na kanë shkaktuar humbje të mëdha. Si pasojë e grevave dhe bojkotit të punës nga minatorët në janar të këtij viti dhe në korrik të vitit të kaluar, ka pasur humbje deri në 1.2 milion euro. Duhet më tepër që të kemi prodhim, na duhet të kemi një bashkëpunim më të mirë me sindikatën. Me një prodhim më të madh ne nuk do të kishim nevojë financiare nga Qeveria. Duhet një vetëdijesim dhe një angazhim i punëtorëve dhe ne mund të krijojmë stabilitet financiar vetëm me punën tonë”, thotë Tahiri.
Sipas të dhënave zyrtare, nga viti 1945 e deri në periudhën para vitit 1990, miniera prodhonte rreth 600 mijë tonë xehe në vit. Kurse sot, nga aty nxirren jo më shumë se 150 mijë tonë xehe.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës siç thekson ministri Lluka, në vit subvencionon kombinatin metalurgjik “Trepça” me rreth 4 milionë euro, por që kjo ndërmarrje, sipas tij, duhet të rrisë produktivitetin dhe të jetë e pavarur financiarisht.
“Sfida mbetet që si të rritet produktiviteti dhe ‘Trepça’ të bëhet e pavarur financiarisht , nuk ka sens që një aset aq i madh dhe aq i pasur dhe kur çmimi i zinkut dhe plumbit nuk ka qenë asnjëherë më mirë, të vazhdojë të operojë me humbje. Tani jemi duke punuar dhe me regjistrimin e ‘Trepçës’ besoj që duhet të punojmë aktivisht deri në futjen e kapitalit privat brenda‘Trepçës’”, thotë Lluka.
Javë më parë Kuvendi i Kosovës ka miratuar statutin e “Trepçës”, e cila i hapi rrugë regjistrimit të ndërmarrjes si shoqëri aksionare, ku 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës dhe 20 për qind janë aksione të punonjësve të “Trepçës”.
Kombinati metalurgjik “Trepça”, gjendet në komunën e Mitrovicës. Sektorët e tij gjenden në pjesën veriore dhe atë jugore të qytetit.
Përveç aseteve në Kosovë, 31 prona të këtij kombinati gjenden në republikat e ish-Jugosllavisë, duke përfshirë këtu fabrika, zyra dhe objekte tjera.
“Trepça” ishte në mesin e ndërmarrjeve më të mëdha në ish-Jugosllavi. Por, që nga paslufta është përballur me probleme të shumta sa që asnjëherë nuk arriti të rimëkëmbet.