Një marrëveshje e re midis Italisë dhe Kinës e ka kthyer qytetin port të Triestes në qendër të vëmendjes ndërkombëtare. Pozicioni i qytetit është strategjik, roli që luan i diskutueshëm.
Qyteti port i Triestes ka qenë dikur mundësia e vetme e Perandorisë së Habsburgut për të pasur korridor në det, prandaj ka qenë shumë i rëndësishëm nga pikëpamja strategjike. Në vitin 1719, ai u shpall nga Karl VI zonë e lirë tregtare, duke e kthyer qytetin në pikë kryqëzimi për Europën lindore.
Më pas, në shekullin e 20-të, gjatë Luftës së Ftohtë, qyteti e humbi shkëlqimin dhe rëndësinë dhe u kthye në periferi të izoluar nga Europa, duke rënë kështu viktimë e Perdes së Hekurt. Por tani qyteti port italian i Triestes, është duke përjetuar një epokë të re, të artë.
Fundi i izolimit?
“Për të kuptuar rëndësinë në rritje të portit duhet parë harta“, shpjegon presidenti i autoriteteve italiane të portit, Zeno D’Agostino. “Ekonomia e Europës Lindore është në zhvillim, dhe të gjitha këto vende arrihen shumë shpejt nga porti i Triestes“, thotë ai.
Që më 2015, kur D’Agostino mori këtë post, porti i Triestes është zhvilluar shumë. D’Agostino vlerësohet shumë nga qyteti, dhe ai shihet si një nga protagonistët kryesorë të ndryshimeve që ndodhin në port. “Transporti hekurudhor drejt veriut, pjesërisht trashëgimi e monarkisë austro-hungareze, është avantazhi kryesor që ka Trieste,“ vazhdon ai më tej.
Nuk ka asnjë vend tjetër të Italisë së Veriut, që të ketë pasur kaq shumë influencë nga gjeopolitika. Edhe tani. Pozicioni i saj strategjik e ka kthyer atë në stacion ideal për rrugën e re detare të mëndafshit. Në mars të 2019, Italia nënshkroi një memorandum me Kinën, duke u bërë kështu vendi i parë i grupit të G-7, që merr pjesë në Rrugën e re të Mëndafshit.
Kritika të ashpra për pozicionin që mban Trieste
Prandaj kritikat kanë ardhur breshëri nga Brukseli dhe vendet e tjera të BE-së. „Ajo çka prezantohet në publikun italian si deklaratë me synime komerciale, është në fakt njohja politike e projektit të Rrugës së Mëndafshit nga një prej vendeve të G7, pra një çështje që duhet marrë seriozisht,“ shpjegon sinologia, Giada Messetti.
Në librin e saj të ri me titull „Në kokë të dragoit“ (“Nella testa del Dragone“, 2020) ajo përpiqet të shpjegojë nga pikëpamja politike dhe kulturore Kinën dhe strategjinë që ajo ndjek: “Kinezët i kanë bërë mirë planet për t’u bërë ata që janë sot. Ata kanë bërë një projekt ekonomik. Dhe meqenëse rëndësia e tyre ekonomike në botë është kaq e madhe, vetëkuptohet që ata duan të marrin ndikim në botë.“
Trieste top në lojërat e politikës ndërkombëtare?
Porti ndërkombëtar i Triestes, i cili ka thellësi të madhe të ujit është porti më i rëndësishëm i Mesdheut për çisternat e naftës. Qasja tek ky port shihet si strategjike. Në Memorandumin e nënshkruar me Kinën, parashikohet pjesëmarrja në port e kompanisë kineze China Communications Construction Company(CCCC). Porti nuk është e lehtë të shitet, si për shembull porti grek i Pireut, i cili është duke kaluar pak nga në duart kineze, duke filluar që nga viti 2016. Këtë thonë gjithnjë me forcë autoritetet e portit në Trieste.
Marrëveshja e diskutueshme e nënshkruar midis Italisë dhe Kinës nuk ka sjellë deri më sot ndonjë projekt konkret. Edhe muaj të tërë pas vizitës së Xi Jinping-it në Romë asgjë nuk është vënë në lëvizje. Por, në prapaskenë puna është ndryshe: „Faktikisht ne jemi duke biseduar me kinezët prej disa kohësh,“ tregon Francesco Parisi.
Duke qenë kryetar i kryesisë së shoqërisë PLT, ai është ngarkuar me ndërtimin e një terminali multifunksional në sipërfaqen e portit të Triestes dhe është duke kërkuar partnerë për zhvillimin më tej të projektit. “Ne nuk e preferojmë Kinën patjetër si partnere tregtare, por ne shohim se ky vend është zhvilluar dhe është kthyer tani në partnerin numër 1 në tregti.“
Historia ekonomike e qytetit
Francesco Parisi merret me biznese transporti në të gjithë botën. Firma e tij, e krijuar në vitin 1807 është pjesë e historisë së qytetit. Duke qenë brezi i tetë sipërmarrës, ai e di mirë që konfrontimet midis Kinës dhe SHBA nuk mund të injorohen lehtë.
Ai e ka përjetuar vetë periudhën e Perdes së Hekurt: „Ideja e Luftës së Ftohtë më shqetëson shumë mua personalisht, si biznesmen, si qytetar i Bashkimit Europian. Por tregtia ndërkombëtare mund të kthehet në urë dhe të ndihmojë ruajtjen e paqes.“
Por tek kjo pikë nuk janë të gjithë dakord: A mund të bëhen biznese me një vend, që dihet që shkel të drejtat e njeriut? Dhe si duhet sjellë në një kohë kur Kina dhe SHBA ndodhen në mes të një konflikti tregtar? Presioni politik është i madh, dhe papritur edhe Triestja merr përgjegjësi në konfliktin global.
Partner të ri europian në bashkëpunim
Por në fund të muajit shtator të këtij viti u bë e njohur se në zhvillimin e portit do të marrë pjesë edhe një partner europian. „Porti dhe logjistika e Hamburgut , shoqëri aksioneve (HHLA) do të marrë pjesë me 50,01% në ndërtimin e terminalit multifunksional në portin e Triestes“, thuhet në njoftimin për shtyp. A është ky vendim vetëm komercial? Mbase, por kur kemi të bëjmë me Triesten, kemi të bëjmë me gjeopolitikë.
Sinologia Giada Messetti dëshiron që Europa të ketë një qëndrim të përbashkët, më të qartë kundrejt Kinës: “Europa rrezikon të kthehet në fushëbetejë të Kinës dhe SHBA-së. Por BE mund të jetë aktori i tretë në arenën globale. Unë shpresoj që BE vendos pikërisht që të jetë e tillë,“ thotë ajo.
Për këtë duhet ndër të tjera edhe logjistikë e përbashkët europiane. Bashkëpunimi midis Hamburgut dhe Triestes, e kombinuar me një rrjet hekurudhor të ngritur është hapi i parë në këtë drejtim./dw