Kina mundohet t’i përçajë europianët në çështjet tregëtare. Është mirë që kjo të mos ndodhë, sepse Bashkimi Europian është i fortë vetëm kur funksionon si komunitet, mendon redaktori i DW, Christoph Hasselbach.
Presidenti kinez Xi Jinping do të preferonte të fliste një nga një me secilën nga qeveritë europiane. Kështu do të nxirrte përfitime më të mëdha për vendin e tij. Por kjo nuk ishte e mundur sepse Xi kishte të bënte në Francë me një trio: përveç presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelares gjermane Angela Merkel, edhe me presidentin e Komisionit të BE, Jean-Claude Juncker. Këta të tre i treguan Xi-së se në çështjet e tregtisë BE është në një front të përbashkët.
Për fat të keq kjo nuk vlen për të gjithë BE. Xi vjen në Francë direkt nga Italia. Qeveria e Romës pati hedhur tapetin e kuq duke aprovuar të marrë pjesë në projektin më të madh infrastrukturor të Kinës, “Rrugën e re të mëndafshit”. Italia është vendi i parë industrial perëndimor që ndërmerr një hap të tillë. Për firmat italiane pritet të ketë përfitime, por fillimish përfitimet janë për firmat kineze në Itali. Pas gjithë kësaj fshihet një strategji afatgjatë e drejtuar nga shteti: Kina kërkon të ngrejë një urë të re në Europë, duke ndërtuar për shembull portet italiane në Trieste dhe Gjenova.
Mosbesimi në rritje
Gjithnjë e më shumë qeveri (jo vetëm perëndimore) i shohin me sy kritik investimet kineze në vendet e tyre. Shqetësimi nuk ka të bëjë vetëm me varësinë e madhe ekonomike dhe humbjen e pozicionit drejtues në fushën e teknologjisë, nëpërmjet shitjes së firmave tek Kina. Kur firma kineze e telekomunikacionit Huawei merr pjesë në krijimin e rrjetit mobil 5G, ekspertët e çështjeve të sigurisë mendojnë se Kina mund ta përdorë rrjetin edhe për spiunazh. Prandaj, SHBA për shembull, Australia dhe Zelanda e Re, e përjashtojnë Huawein nga G5.
Merkeli e kritikoi Italinë për rrugën që ka nisur e vetme. Ajo tha javën e kaluar në takimin e nivelit të lartë të BE, se “është mirë të veprojmë të bashkuar”. Por, vetë Gjermania ka vite që e ka trajtuar Kinën me shumë naivitet. Që kinezët nuk i lenë europianë të zenë në treg vendin që kinezët kanë në Europë, ka të bëjë edhe me Gjermaninë. Arsyeja është shumë e thjeshtë. Tregëtia me Kinën është për Gjermaninë si vend eksportues, shumë e rëndësishme, prandaj ekziston druajtja se fjalët e ashpra përbëjnë rrezik për reprasalje.
Por atmosfera ka ndryshuar, edhe në Gjermani. Mbase prej sinjaleve alarmuese të 2016, kur prodhuesi i robotëve Kuka u ble prej kinezëve. Anasjelltas një blerje e tillë nuk do të kishte qenë e mundur. Që nga ajo kohë, jo vetëm qeveria gjermane por edhe Komisioni i BE vret mendjen si të mbrojë Europën nga “shitja” dhe çfarë roli të luajë politika në këtë çështje.
Kina kërkon hegjemoni
Kjo nuk do të thotë se duhen ngritur pengesa ndaj Kinës dhe duhet refuzuar në përgjithësi nisma për ndërtimin e “rrugës së mëndafshit”. Ajo që kërkohet janë kushte të ndershme dhe qasje të njëjtë në treg. Kur Donald Trump morri drejtimin në Shtëpinë e Bardhë dhe bëri të ditur politikën e tij “America first”, Berlini dhe Parisi u gëzuan shumë që Kina doli dhe e ofroi veten si shpëtimtare të multilateralizmit. Por Kina nuk kishte si synim multilateralizmin, por bilateralizmin dhe përpjekjet e saj hegjemoniste. Është interesante që Donald Trump tregon tani që Kina mund të vihet në lëvizje për të bërë lëshime. Për shkak të mungesës së peshës në politikën botërore, asnjë shtet europian nuk do të ishte i vetëm në gjendje që të bënte një gjë të tillë, por BE si e tërë, po. Por për këtë BE duhet të veprojë si në bllok i vetëm. Prandaj prezantimi i përbashkët i Macronit, Merkelit dhe Junckerit me Xi-në ishte sinjali më i rëndësishëm që u dha./dw