Institucionet shumëpalëshe si Organizata Botërore e Tregtisë (OBT) nuk janë shumë të preferuara për Donald Trump. Për të, ato janë të drejtuara kundër interesave të SHBA-së dhe për këtë arsye nuk janë më të rëndësishme. “Ai e sheh punën e gjatë për kompromise në organizatat ndërkombëtare si humbje të plotë kohe”, u shpreh ish-ambasadori gjerman në Pekin, Michael Schaefer, në një intervistë për DW.
Dy vizione krejtësisht të ndryshme të botës mund të përplasen kaq fort sa mandati i parë i Donald Trump mund të duket si shëtitje në park për partnerët e tij tregtarë krahasuar me atë që mund të vijë.
Qëndrime të ndryshme ndaj botës
“Unë mendoj se ne kemi një filozofi krejtësisht të ndryshme këtu për mënyrën se si funksionon komuniteti ndërkombëtar. Evropa është shembulli kryesor i një grupi shtetesh shumë heterogjene që janë përfshirë në konflikte dhe luftëra gjatë shumë shekujve,” shpjegon Schaefer.
Bashkësia Evropiane u themelua për t’i dhënë fund këtij rrethi vicioz luftërash dhe konfliktesh. “Është ndërtuar një grup rregullash me detyrime dhe të drejta të ndërsjella që është udhëzues jo vetëm për vetë europianët, por edhe për të gjitha organizatat e tjera”, thekon diplomati gjerman, Schaefer. Dhe kjo vlen për sjelljen e shteteve në fushën e politikës së jashtme, të sigurisë dhe ekonomike. Gjërat janë krejtësisht të ndryshme me konceptin e “dealmaker” të Trump.
“Politika e tij “Amerika e para” nënkupton negocimin e marrëveshjeve sa më drejtpërdrejt të jetë e mundur me partnerët tregtarë, ku ai ka dorën e sipërme përmes fuqisë së Shteteve të Bashkuara.”
Perspektivë e zymtë për vendet e vogla
Po i vjen fundi rendit ndërkombëtar siç e njohim ne? Kjo do të kishte pasoja dramatike, veçanërisht për vendet më të vogla në jugun global, thotë Heribert Dieter, ekspert i tregtisë në Fondacionin Shkencë dhe Politikë (SWP) në një intervistë për DW. Për ekonomistin, i cili aktualisht jep mësim në Institutin Kombëtar të Studimeve të Avancuara në Bangalore, Indi, e ardhmja e rendit botëror multilateral është në pikëpyetje.
“Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, ne menduam se ishte e mundur të zgjidheshin problemet mbi-kombëtare. Por kjo nuk është më e mundur në epokën e formimit të blloqeve gjeopolitike”, shpjegon Dieter. “OBT është në kohë vërtet të vështira, është një hije e vetvetes ndërkohë. Ajo ekziston ende, por nuk ka më asnjë sistem funksional për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Në këtë drejtim, perspektivat për rendin tregtar shumëpalësh janë vërtet të turbullta dhe të zymta”, përmbledh eksperti i SWP-Eksperti.
Edhe ekonomistja Penny Goldberg nga Universiteti Yale pajtohet: “Multilateralizmi është në rënie dhe Organizata Botërore e Tregtisë (OBT) është në krizë.”
Skenari frikësues: Shpërbërja e OBT
Për ekspertët e tregtisë, një shpërbërje e OBT-së do të kishte pasoja të dukshme edhe për lojtarë të rëndësishëm të tregjeve botërore. Një kolaps i OBT-së do të godiste vetëm ekonominë e BE-së katër herë më shumë se tarifat e SHBA-së. Ky është rezultati i një studimi të përbashkët nga Instituti i Kielit për Ekonominë Botërore (IfW) dhe Instituti Austriak për Kërkime Ekonomike (WIFO).
“Si rezultat, PBB-ja reale e BE-së do të binte me 0.5 për qind. Gjermania do të prekej më shumë, SHBA-ja disi më pak. Megjithatë, Kina do të duhej të përballonte humbjet më të mëdha”, thuhet në analizën e publikuar pak para zgjedhjeve në SHBA. “Nëse bota do të ndahej në blloqe gjeopolitike të udhëhequra nga SHBA-ja dhe Kina, humbjet do të ishin dukshëm më të larta për BE-në dhe akoma më të mëdha për Kinën. Në një rast ekstrem, PBB-ja reale e Kinës mund të bjerë me rreth 6 për qind në afat të shkurtër, dhe ajo e Gjermanisë me 3.2 për qind rënie, ndërsa më pak do të prekeshin SHBA (-2.2 për qind), shkruajnë studiuesit Julian Hinz dhe Gabriel Felbermayr. Me më shumë se 45 marrëveshje, BE-ja është zona ekonomike më e ndërlidhur në botë.
Nga ana tjetër lojtarë të fuqishëm si SHBA-ja, Kina apo Bashkimi Evropian do të mund të arrinin të kishin sukses në realizimin e interesave të tyre edhe pa Organizatën Botërore të Tregtisë. “Por ato më të voglat do të goditeshin fort dhe do duhej të përkuleshin para kërkesave shpesh të dyshimta të vendeve më të mëdha. Kjo është dramna”, kritikon eksperti i tregtisë Dieter.
Ish-kryekonomistja e Grupit të Bankës Botërore, Pinelopi “Penny” Goldberg, i sheh gjithashtu vendet më të vogla si viktima në rast shpërbërjeje të OBT-së: “Integrimi ndërkombëtar është veçanërisht i rëndësishëm për ekonomitë e vogla. Vendet më të vogla nuk kanë tregje të mëdha të brendshme”.
“Pa tregti nuk ka rënie të varfërisë”
Disa muaj më parë, Goldberg theksoi në një opinion për “Tagesspiegel” të Berlinit se sa i rëndësishëm është një rend tregtar ndërkombëtar i bazuar në rregulla për jugun global. “Në fakt, hulumtimet e fundit tregojnë se ulja e varfërisë gjatë tre dekadave të fundit ka ndodhur më shumë në vendet në zhvillim që kanë mundur të integrohen mirë në sistemin tregtar ndërkombëtar. Në këtë aspekt, sistemi tregtar shumëpalësh në fakt ka sjellë përfitime për vendet në zhvillim.
“Ekonomitë e mëdha në jugun global, nga ana tjetër, po bëhen gjithnjë e më të të sigurta në forcën e tyre dhe po i ndjekin interesat e tyre gjithnjë e më shumë me besim si India, Indonezia dhe Brazili”, sipas Goldberg. Për ekspertin e tregtisë, Heribert Dieter, ka shumë shenja që tregojnë për një fund të rendit tregtar të bazuar në rregulla nën ombrellën e OBT-së. Që nga themelimi i saj në vitin 1995, u krijua një frymë optimizmi për një tregti më të drejtë botërore, por në retrospektivë kjo ishte ndoshta vetëm një periudhë e shkurtër, e jashtëzakonshme.
‘America first’ prej më shumë se 25 vjetësh?
Qysh në fund të viteve 1990, SHBA filloi të ndiqte më fort interesat e veta, veçanërisht në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN). Heribert Dieter i referohet “të ashtuquajturave operacione shpëtimi të FMN” në mbështetjen e shteteve në kolaps për shkak të borxheve të mëdha. “Nëse i shikoni ato “operacione shpëtimi” të FMN-së në fund të viteve 1990, ato nuk ishin në të vërtetë shpëtuese. Kjo ishte politika e jashtme ekonomike e SHBA që nuk merrte parasysh interesat e vendeve marrëse.”
Bashkëpunimi tregtar ndërkombëtar do të vazhdojë të ekzistojë, por në një shkallë shumë më të vogël, thonë ekspertët. “Por kjo nuk duhet të jetë domosdoshmërisht negative. Në njësi më të vogla ndoshta mund të arrish më shumë në politikën tregtare sesa në OBT, ku çdo vend anëtar ka të drejtën e vetos,” thekson Dieter. “Kjo nuk do të thotë fundi i marrëdhënieve ekonomike ndërkombëtare dhe sigurisht as fundi i globalizmit.”
Megjithatë, për vendet më të vogla të jugut global po afrohen kohë të vështira. Ashtu si të gjithë partnerët tregtarë të SHBA-së, ato do të duhet të “përgatiten mirë” për të ardhmen, thotë ish-diplomati Michael Schaefer./DW