Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara pritet të votojë sot për fajësimin e presidentit Donald Trump – procedurë që në anglisht njihet si “impeachment”.
Pasi Dhoma kontrollohet nga demokratët – rivalë të presidentit – masa pritet të kalojë dhe t’i hapë rrugë gjykimit të Trumpit në Senat.
Nëse kjo ndodh, Trump do të jetë presidenti i tretë në historinë e Shteteve të Bashkuara që do të përballet me procesin e tillë, që mund të çojë në shkarkim.
Procedurat me synim shkarkimin e presidentit kanë nisur në shtator nga demokratët, kur është zbuluar se Trump i ka kërkuar homologut ukrainas ta hetojë rivalin e tij politik, Joe Biden.
Biden mund të jetë kundërkandidat i Trumpit në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
Trump thuhet se e ka kushtëzuar ndihmën ushtarake për Ukrainën, në këmbim të këtyre hetimeve.
Ai e mohon çdo keqbërje, por kërkimi i ndihmës nga jashtë për të fituar zgjedhjet në SHBA është akt i paligjshëm.
Mbi Trumpin rëndojnë dy akuza: për abuzim të pushtetit dhe për pengim të punës së Kongresit.
Nëse “impeachment”-i kalon në Senat, kjo Dhomë ka pak gjasa që të votojë pastaj për shkarkimin e presidentit, pasi ajo kontrollohet nga Partia e tij Republikane.
“Luftë e hapur ndaj demokracisë amerikane”
Të martën, Trump i dërgoi një letër kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, duke e akuzuar atë për shpallje të “luftës së hapur ndaj demokracisë amerikane”.
“Ju ia keni ulur rëndësinë fjalës shumë të shëmtuar: fajësim”, shkroi Trump në letër.
Ai po ashtu tha se atij “i janë mohuar të drejtat më themelore, të parashikuara nga Kushtetuta, përfshirë e drejta për të paraqitur prova”.
Presidenti, në fakt, është ftuar publikisht nga kryetari demokrat i Komitetit Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve për të paraqitur prova në procesin e “impeachment”-it, çfarë do t’i lejonte ekipit të tij ligjor të merrte në pyetje edhe dëshmitarët, por ai ka refuzuar.
Udhëheqësi i pakicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, tha të martën se nëse “impeachment” kalon në Senat, çdo senator do të bëjë betimin për “drejtësi të paanshme”.
Gjykimi në Senat – gjithnjë nëse arrin atje – do të nisë më 6 janar.
Presidentët që u përballen me procedura të shkarkimit
Kundër Bill Clintonit kanë nisur procedurat për shkarkim, për shkak të mashtrimit dhe pengimit të drejtësisë, pasi ka gënjyer për natyrën e aferës së tij me Monica Lewinskyn dhe më pas dyshohet se i ka kërkuar edhe asaj të gënjejë.
Por, kur gjykimi ka shkuar në Senat më 1999, votimi për dënim ka dështuar.
Presidenti tjetër që është përballur me procedura të shkarkimit, ka qenë Andrew Johnson, më 1868. Ai është akuzuar, mes tjerash, për shkarkimin e sekretarit të tij të luftës kundër vullnetit të Kongresit.
Johnson ka shpëtuar për pak, pasi dy të tretat e votave në Senat nuk janë arritur vetëm për një votë.
Richard Nixon, presidenti i 37-të i Shteteve të Bashkuara, ka dhënë dorëheqje më 1974, përpara se të mund të fajësohej nga Senati për skandalin e Watergate./REL